Marta Kos paralajmëroi se Mali i Zi mund ta nënshkruajë traktatin e anëtarësimit në Bashkimin Europian gjatë verës së vitit të ardhshëm. Komisionerja e zgjerimit tha se pjesa teknike e negociatave me Podgoricën mund të përfundojë deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, dhe se Komisioni Europian ka nisur tashmë përgatitjet për traktatin që mund të firmoset vitin që vjen. Pas nënshkrimit, sipas Kos, vijon procesi i ratifikimit që mund të zgjasë nga një deri në dy vjet, varësisht nga ajo çfarë ndodh në vendet anëtare; kjo, sipas saj, do të mundësonte që Mali i Zi të bëhej anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028.
Mali i Zi konsiderohet vendi kandidat më i avancuar në procesin e anëtarësimit. Deri më tani, Podgorica ka mbyllur përkohësisht 18 nga 33 kapitujt e negociatave, ndërsa autoritetet malazeze synojnë që negociatat për anëtarësim t’i përfundojnë deri në fund të këtij viti. Mali i Zi pritet të jetë vendi i parë që do të përfshihet në zbatimin e rregullave të reja të Komisionit Europian për vendet kandidate; më 6 tetor, Komisioni miratoi propozimin për qasjen e re ndaj vendeve që synojnë anëtarësimin në BE.
Komisioni Europian ka bërë të ditur se kjo qasje do të zbatohet fillimisht për marrëveshjen e anëtarësimit me Malin e Zi dhe më pas edhe për traktatet e ardhshme të anëtarësimit. Zgjerimi i bllokut europian pritet të jetë një nga temat kryesore të samitit të liderëve europianë që do të mbahet më 15 dhe 16 tetor në Bruksel.
Në fund të tetorit, Komisioni pritet të prezantojë udhërrëfyesit kuadër për katër vendet që konsiderohen më të avancuara në procesin e anëtarësimit: Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Sipas njoftimeve, kushti kryesor për këto udhërrëfyes do të jetë ruajtja e ritmit të reformave. (Top Channel)

