Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu gjatë orëve të pasdites zonën e Priskës së Madhe, fshatin Daias në Tiranë. Flakët, të favorizuara nga era, u përhapën me shpejtësi dhe tymi mbuloi gjithë zonën. Zjarrfikësit vijojnë të luftojnë me flakët, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur forca të ndryshme zjarrfikëse dhe një helikopter i Forcës Ajrore që po punojnë për vendosjen e zjarrit nën kontroll. Raportohet se nuk ka probleme për banesat, pasi zona e përfshirë është kryesisht me bimësi të dendur dhe shkurre.
Situata u përkeqësua gjatë pasdites edhe në fshatin Abazë të Krujës, ku bashkia urdhëroi evakuimin e banorëve për shkak të rrezikut nga flakët. Atëvendje zjarri po favorizohet po ashtu nga era e fortë dhe rrezikon shtëpitë, ndaj në terren po punojnë dhjetëra forca zjarrfikëse dhe helikopterë.
Zjarri po vazhdon prej disa ditësh edhe në zonën e Lurës, në Dibrë, ku po digjen sipërfaqe të mëdha toke. Në Lurë mbi 20 forca të emergjencave kombinuar me banorë lokalë po ndërmarrin operacione për shuarjen e flakëve dhe për të parandaluar përhapjen e tyre drejt banesave dhe infrastrukturës.
Sipas raporteve deri në orën 17:00 ishin aktive dhjetë vatra zjarri në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë. Forcat e emergjencave vazhdojnë operacionet në terren duke përdorur burime tokësore dhe ajrore, ndërkohë që autoritetet lokale kanë marrë masa evakuimi apo koordinimi për të mbrojtur banorët dhe objektet e rrezikuara.
Lufta me zjarret vijon në kushte të vështira, me ndërhyrje të pandërprerë të ekipeve zjarrfikëse dhe bashkëpunim me komunitetet lokale për shuarjen dhe kontrollin e flakëve. (Top Channel)

