Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu gjatë pasdites zonën e Priskës së Madhe, në fshatin Daias të Tiranës, ku flakët, të favorizuara nga era, u përhapën shpejt dhe tymi mbuloi gjithë zonën. Zjarrfikësit vijojnë luftën me flakët, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur forca zjarrfikëse dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Raportohet se nuk ka probleme për banesat, pasi zona e përfshirë është kryesisht me bimësi të dendur dhe shkurre.
Situata u përkeqësua gjithashtu në fshatin Abazë të Krujës, ku bashkia urdhëroi evakuimin e banorëve. Atje flakët, të favorizuara nga era e fortë, kanë rrezikuar edhe banesat. Në vendngjarje po punojnë dhjetëra forca zjarrfikëse dhe helikopterë për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së zjarrit dhe për mbrojtjen e banesave.
Zjarret vazhdojnë prej ditësh edhe në Lurë të Dibrës, duke djegur sipërfaqe të tëra. Mbi 20 forca të emergjencave së bashku me banorët po punojnë për shuarjen e flakëve dhe për të parandaluar përhapjen e tyre drejt banesave.

