Po mbahet në kryeqytet dita e 27-të e protestës qytetare. Qytetarët kanë nisur marshimin përgjatë bulevardit për t’iu bashkuar pjesës tjetër të tubimit para Kryeministrisë, ku përsëritën pesë kërkesat kryesore dhe, me pankarta, përkujtuan 82-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Kërkesat e protestuesve përfshijnë: 1) dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë; 2) krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor; 3) ndryshime kushtetuese që garantojnë barazi të të gjithë shtetasve para ligjit dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, si dhe kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Përveç këtyre, protestuesit kërkojnë edhe anulimin e ndryshimeve të miratuara në ligjin për “Zonat e Mbrojtura” dhe në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”, shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve” dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”. Si kërkesë të pestë, grupi kërkon përpilimin e një kontrate të re sociale midis qytetarëve dhe shtetit, e cila sipas tyre duhet të hartohet pas konsultimeve me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.
Një pjesë e qytetarëve u grumbulluan në sheshin “Skënderbej”, ndërsa disa protestues mbetën të stacionuar para Kryeministrisë ku do të mbahen fjalimet. Disa nga tubuesit kanë qëndruar aty deri në orët e para të mëngjesit, pa u larguar nga vendi i protestës. Gjatë fjalës së tij në shesh, nismëtari Kola përmendi edhe çështjen çame dhe protestuesit brohoritën “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

