Duket se Milani po përforcohet në drejtim portugez: në pritje të vendimit për të ardhmen e Rafael Leao, drejtuesit ia besuan pankinën Ruben Amorim, i cili kërkoi menjëherë në merkato sulmuesin Gonçalo Ramos. Sulmuesi i Paris Saint Germainit u bë zgjedhja për të udhëhequr repartin ofensiv të kuqezinjve, dhe pronari Gerry Cardinale ia plotësoi dëshirën ish-trajnerit të Manchester United. Pas një oferte të parë përmes agjentit Jorge Mendes, Milani mbylli transferimin për 55 milionë euro plus 5 milionë euro bonus.
Gonçalo Ramos, i lindur në Olhão më 24 qershor 2001, nisi karrierën te Olhanense në moshën 8 vjeçare dhe në 2013 iu bashkua akademisë së Benficës. Në ekipet e të rinjve dalloi shpejt: në sezonin 2019/20 shënoi 20 gola në 40 ndeshje dhe u shpall shënuesi më i mirë i Youth League bashkë me Roberto Piccolin. Debutoi te ekipi i parë i Benficës në 2020 me një dygolësh ndaj Desportivo das Aves dhe, nën drejtimin e Roger Schmidt, u bë sulmues titullar pas largimit të Darwin Núñez. Në janar 2023 shënoi një dygolësh në derbi ndaj Sportingut, duke u bërë lojtari më i ri në histori që realizon dy gola në Derbin e Lisbonës.
Paraqitjet e tij tërheqën vëmendje, dhe PSG e mori me huazim në verën e 2023. Debutimi i parë në Francë solli dy gola ndaj Marseille më 24 shtator; sezonin e parë e mbylli me titull kampioni dhe Kupën e Francës. Sezoni në vijim nisi keq për shkak të një dëmtimi në kavilje që e mbajti jashtë tre muaj. Me rikthimin, shënoi golin e tij të parë në Evropë për PSG kundër Strasbourg dhe mbylli sezonin me tituj të Ligue 1, Kupën e Francës dhe Champions League; në sezonin që sapo u mbyll shënoi 12 gola dhe dha 2 asistime në 45 ndeshje.
Si lojtar, Ramos ka evoluar nga trekuartist në qendërsulmues: është dinamik, i fortë në luftë fizike, i shkëlqyer në finalizim me kokë dhe i aftë në mbajtjen e topit. Në skemën 3-4-2-1 të Amorim pritet të luajë si terminal ofensiv dhe pika referuese për trekuartistët. Jashtë fushës, është baba i Bernardos, të lindur vitin e kaluar me partneren Margarida Amaral Domingues; çifti planifikonte martesë më 18 korrik, por Ramos e shtyu datën pas thirrjes në grumbullim nga trajneri Martnez për Botërorin. Pseudonimet e tij janë “Feliticeiro” dhe “O Pistoleiro”, ndër të cilët “Feliticeiro” lidhet me periudha me fat dhe rikthime të suksesshme sipas vetë lojtarit. Top Channel.

