Protesta qytetare në Tiranë vazhdon sot për ditën e 24-të. Qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku u zhvilluan thirrje dhe fjalime në të cilat u kërkua dorëheqja e qeverisë dhe formimi i një qeverie teknike, jo-partiake, me mandat jo më pak se 12 muaj. Protestuesit njoftuan gjithashtu se në 4 korrik diaspora do të bashkohet në protestë.
Pas disa orësh përpara Kryeministrisë, turma nisi sërish marshimin në rrugët e kryeqytetit dhe ndaloi para Parlamentit. Para Kryeministrisë u lexuan kërkesat e plota të protestuesve, të cilat përfshijnë kërkesën për dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
Protestuesit kërkojnë ndryshime kushtetuese që synojnë barazinë e të gjithë shtetasve shqiptarë para ligjit dhe miratimin e këtyre ndryshimeve nëpërmjet referendumin popullor. Si pjesë e kërkesave për ndryshime kushtetuese dhe legjislative janë përfshirë: ndryshimi i Kodit Zgjedhor; ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme; dhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Në paralel me kërkesat për reformë politike dhe kushtetuese, protestuesit kërkojnë anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura” dhe në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”, shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve” si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
Protestuesit njoftuan se kontrata e re sociale midis qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.

