Po mbahet në kryeqytet dita e 27-të e protestës qytetare. Qytetarët nisën marshimin në bulevard për t’u bashkuar me pjesën tjetër të grupit para Kryeministrisë, ku përsëritën pesë kërkesat e tyre dhe me pankarta kujtuan 82-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Pas disa orësh në sheshin e Kryeministrisë ata vazhduan marshimin nëpër akset kryesore të qytetit.
Kërkesat e protestuesve janë të përmbledhura në pesë pika kryesore. E para është dorëheqja e panegociueshme e Kryeministrit dhe e qeverisë. E dyta kërkon krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor. E treta u përqendron ndryshimet kushtetuese për të siguruar që të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit dhe parashikon miratimin e tyre me referendum popullor; ndër ndryshimet e përmendura janë ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ndryshimi i ligjit për financimin e partive politke dhe organizatave të ndryshme, si dhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Pika e katërt përfshin kërkesa të tjera konkrete: anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”, shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve” dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
Pika e pestë propozon përpilimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.
Një pjesë e protestuesve u grumbullua në sheshin “Skënderbej”, ndërsa të tjerë qëndruan të stacionuar para Kryeministrisë, aty ku u mbajtën fjalime. Disa pjesëmarrës mbajtën tubimin deri në orët e para të mëngjesit pa u larguar nga Kryeministria. Gjatë fjalës së tij në shesh, nismëtari Kola përmendi çështjen çame dhe protestuesit brohoritën “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

