Temperaturat e larta dhe era kanë qenë faktorë kryesorë në intensifikimin dhe rindezjen e vatrave që më parë ishin vënë nën kontroll. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se deri në orën 18:00 gjatë ditës janë raportuar 31 vatra zjarri; aktualisht evidentohen 18 vatra, prej të cilave 14 janë aktive, 2 në monitorim dhe 2 nën kontroll.
Në operacionet për menaxhimin e situatës marrin pjesë strukturat vendore dhe qendrore në mënyrë të koordinuar. Vetëm Forcat e Armatosura kanë angazhuar 309 efektivë, 22 mjete, 1 autobot, 3 ambulanca, 9 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive dhe zbatimi i forcave sipas zonave:
– Dajt, Tiranë: mbi tunelet e Qafë-Mollës po punojnë 20 forca MZSH dhe 10 të ADZM, me mbështetje të 2 helikopterëve të FA-së. Në zonën Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër operojnë 40 efektivë MZSH me 8 automjete zjarrfikëse, 25 vullnetarë dhe 2 helikopterë FA; nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
– Abaze, Krujë: zjarri vazhdon aktiv dhe është favorizuar nga era; operacionet mbështeten edhe nga 1 helikopter i FA-së dhe nuk paraqitet rrezik për banesat.
– Gurë-Lurë, Dibër: situata me intensitet të lartë në dy drejtime; perimetri pranë banesave është vendosur nën kontroll dhe është shmangur rreziku për djegien e tyre. Janë angazhuar 120 forca bashkiake, 57 efektivë të FA-së, 15 policë, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të ADZM-së, me mbështetje të 2 avionëve Air Tractor.
– Nëmerçkë dhe Dhëmbel, Përmet: disa vatra aktive në zona pyjore dhe kullota, në terren të vështirë; në operacione janë zjarrfikës, punonjës të sektorit pyjor dhe vullnetarë; pa rrezik për zonat e banuara.
– Trojë, Mirditë: po punohet për izolimin e vatrës me MZSH, 36 forca bashkiake, 3 policë, 20 vullnetarë dhe 30 efektivë të FA-së.
– Lugaxhi, Elbasan: situata e rënduar pasi zjarri ka depërtuar në kurorat e pishave; janë angazhuar 6 efektivë MZSH, 6 forca pyjore, 5 punonjës ASHP, 5 forca bashkiake dhe 30 vullnetarë, me mbështetje nga MZSH Cërrik. Në Shalë, Cërrik është evidentuar një vatër e re me MZSH që operojnë me 1 automjet dhe 3 efektivë.
– Finiq, Vlorë: në Dhivër operojnë MZSH Finiq, Delvinë, Konispol dhe Dropull me 5 automjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë, forca bashkiake dhe 1 helikopter FA; vatra në Rumanxë është shuar plotësisht, ndërsa ajo në Dhrovjan është nën kontroll.
– Mallakastër–Patos: vatrat në Drenie, Lofkënd dhe Ngraçije janë izoluar dhe monitorohen; puna vijon në ekonominë pyjore të Gjinoqarës.
– Kryezi, Fushë-Arrëz: vatra nën kontroll; në Rrencë dhe Goraj-Budishtë vijon puna për izolimin e plotë.

