Po mbahet për herë të parë Kuvendi Kombëtar i Protestës dhe në sallë shfaqen tensione midis pjesëmarrësve dhe organizatorëve. Disa persona të pranishëm kundërshtojnë mënyrën e organizimit dhe përbërjen e mbledhjes, duke vërejtur se mosha mesatare është mbi 45 vjeç dhe se mungojnë të rinjtë e marshimit: “Mosha mesatare këtu është mbi 45 vjeç, këtu nuk shoh asnjë nga marshimi. Nuk jemi lajmëruar”, shprehet një prej protesuesve në prapaskenë.
Në të njëjtën kohë, ka persona që kërkojnë të flasin por u ndalohet për shkak të rendit të ditës. Një nga organizatorët thekson se ekziston një rend dite dhe se nuk do të lejojnë të prishen diskutimet: “Kemi një rend dite dhe nuk do të lejojmë të na prishni mbledhjen”. Moderatorja njofton se kuvendi është i hapur për të gjithë qytetarët dhe se do të ketë takim të hapur: “Ky kuvend është i hapur për të gjithë qytetarët, do të kemi takim të hapur”.
Një organizator që po pengohej të fliste iu përgjigj ashpër të pranishmëve, duke thënë se nuk është i frikësuar nga sfidat: “Nuk ma ka ndier kur kam pasur 300 veta përballë, jo më juve. Prandaj mos na sfidoni, mos na merrni neve sikur jemi të butë”, deklaroi ai, çka shkaktoi reagime të ashpra në sallë.
Ndodhi edhe një përplasje për vendin në sallë: një qytetar kërkoi të ulej në rreshtin e parë dhe tre djem u përpoqën ta kundërshtojnë me forcë; pavarësisht ndërhyrjeve të organizatorëve, ai nuk u ngrit nga ulësja e rreshtit të parë.
Pasi tensionet u qetësuan për momentin, një organizator shprehu nevojën për të kaluar fazën e protestave në sheshe dhe për të menduar për hapat e ardhshëm: “Duhet të shkojmë përtej sheshit. Në shesh e vramë frikën, por çfarë do të bëhet më pas? Nuk duhet të përsërisim rastin e Serbisë, ku protestuan pa fund dhe nuk ndryshuan asgjë.”

