Justina Shiroka-Pula, e propozuar nga kryeministri Albin Kurti për presidente të Republikës së Kosovës, është ekonomiste dhe akademike që ka ushtruar edhe funksione politike e institucionionale. Në vitin 2025 ajo u zgjodh kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), duke u bërë gruaja e parë që udhëheq këtë institucion, të themeluar në vitin 1975; në këtë detyrë ajo pasoi akademikun Mehmet Kraja.
Shiroka-Pula përfundoi shkollimin fillor dhe të mesëm në Prishtinë dhe në vitin 1976 diplomoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i kreu në vitin 1984 në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit të Zagrebit. Ajo është doktoruar në Universitetin e Prishtinës me tezën me titull “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”. Sipas biografisë së publikuar nga ASHAK, ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara, si dhe ka kryer trajnime të ndryshme profesionale në universitete ndërkombëtare.
Karrierën profesionale e nisi në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa në vitin 1978 filloi punën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik. Pas përfundimit të luftës, u angazhua në shoqërinë civile, me fokus kryesisht në fuqizimin e grave, barazinë gjinore, zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësinë.
Në karrierën politike dhe institucionale, Shiroka-Pula shërbeu si ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës nga viti 2008 deri në vitin 2011. Më pas, nga viti 2011 deri në vitin 2014, ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës. Emërimi i saj si kandidate për presidente vjen në kuadër të përpjekjeve për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, sipas propozimit të kryeministrit Albin Kurti.

