Në rastin e Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel, ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner, konfirmoi mbështetjen e fuqishme të vendit të tij për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai vlerësoi se arritja e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin “Fundamentals” përbën një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit dhe përgëzoi qytetarët, si dhe aktorët në politikë, administratë dhe drejtësi që kontribuuan në këtë drejtim.
Bergner theksoi se Shqipëria është pjesë e familjes evropiane dhe riafirmoi përkrahjen gjermane për anëtarësim. Ai nënvizoi se një shtet ligjor i fortë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë thelb i vlerave evropiane, dhe se progresi në lëmin e “Fundamentals” përcakton ritmin e avancimit të Shqipërisë drejt BE-së. Sipas tij, arritja e këtyre objektivave përbën pikënisjen për hapa të mëtejshëm që synojnë forcimin e shtetit ligjor.
Dakordësia për IBAR-in u cilësua si shprehje e pritshmërisë dhe inkurajimit të qartë për vijimin e reformave, zbatimin e tyre me vendosmëri në praktikë dhe konsolidimin e institucioneve përgjegjëse. Bergner theksoi se respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa kundër korrupsionit, përfshirë rastet e nivelit të lartë, janë kushte të panegociueshme për progresin në procesin e anëtarësimit. Ai shtoi se vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Ambasadori përmendi gjithashtu se shtetet anëtare të BE-së kanë ankoruar qartë këto pritshmëri në Deklaratën e Përbashkët si kushte për përmbylljen e bisedimeve. Ai njoftoi se, ashtu si institucionet dhe shtetet e tjera anëtare, edhe Gjermania do të ndjekë me vëmendje zhvillimet e mëtejshme dhe do të mbështesë hapat e ardhshëm të reformave.

