Ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner, gjatë Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel konfirmoi mbështetjen e vendit të tij për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai vlerësoi se arritja e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin “Fundamentals” përbën një hap të rëndësishëm dhe përgëzoi qytetarët e Shqipërisë, si dhe aktorët në politikë, administratë dhe drejtësi që kanë kontribuar dhe angazhuar për zbatimin e këtyre objektivave. Bergner theksoi se Shqipëria është pjesë e familjes evropiane dhe se Gjermania mbështet fuqimisht anëtarësimin e saj në BE.
Sipas tij, një shtet i fortë ligjor, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë thelbi i vlerave evropiane, dhe përparimi në lëmin e “Fundamentals” përcakton shpejtësinë e ecjes së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ai shtoi se arritja e objektivave të ndërmjetme është pikënisje për hapa të mëtejshëm në funksion të forcimit të shtetit ligjor dhe evidentoi dakordësinë për IBAR-in si shprehje të pritshmërisë dhe inkurajimit të qartë për vijimin e reformave, zbatimin e tyre me vendosmëri në praktikë dhe konsolidimin e institucioneve përgjegjëse.
Bergner nxori në pah se respektimi i pavarësisë së sistemit drejtësor dhe lufta e pakompromis ndaj korrupsionit, përfshirë rastet e nivelit të lartë, janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Ai thekoi gjithashtu se vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Shtetet anëtare të BE-së, sipas Bergner, kanë ankoruar qartë këto pritshmëri në Deklaratën e Përbashkët si kushte për përmbylljen e bisedimeve. Ai përsëriti se, ashtu si institucione dhe shtete të tjera anëtare, Gjermania do të ndjekë me vëmendje zhvillimet e ardhshme dhe do të mbështesë hapat e mëtejshëm të reformave.

