Kombëtarja e vajzave triumfoi 5-2 ndaj Malit të Zi në stadiumin “Loro Boriçi” dhe siguroi kualifikimin në raundin e parë të play-off-it të kualifikueseve të Botërorit 2027. Nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, vajzat kuqezi përmbysën rezultatin dhe dominuan ndeshjen përballë tifozëve shqiptarë. Golat e fitores u realizuan nga Megi Doçi (2), Fortesa Berisha, Gresa Berisha dhe Arbiona Bajraktari. Trajneri Grima nisi takimin me këtë formacion: Rajmonda Spahiu (GK), Klea Hamonikaj, Arbiona Bajraktari, Mikaela Metalla, Alma Hilaj, Arbenita Curraj, Ezmiralda Franja, Ilarja Zarka, Vanesa Levendi, Fortesa Berisha dhe Megi Doçi (c).
Shqipëria nisi ndeshjen në sulm dhe rrezikoi herët; një goditje e Fortesa Berishës u ndal nga traversa në minutën e katërt. Skuadra krijoi raste të tjera në minutat 11–13, por pa konkretizuar. Mali i Zi kaloi në avantazh në minutën e 20-të, por reagimi i Shqipërisë erdhi menjëherë: kapitenia Megi Doçi u pengua përpara portës dhe gjyqtarja akordoi penallti, ndërsa portierja malazeze u ndëshkua me karton të kuq. Nga pika e bardhë Megi Doçi barazoi në minutën e 22-të, 1-1.
Malazezet rikthyen avantazhin në minutën e 45-të, por pak çaste më vonë Fortesa Berisha shënoi nga një aksion i ndërtuar nga Megi Doçi dhe Klea Hamonikaj, duke vendosur shifrat 2-2 me të cilat mbyllet pjesa e parë. Në pjesën e dytë Shqipëria ishte më kërkuese dhe dominoi lojën, duke krijuar vazhdimisht situata rrezikuese.
Goli i përmbysjes erdhi në minutën e 63-të kur Megi Doçi provokoi nga distanca dhe shënoi për 3-2, duke kompletuar dopietën personale. Në minutën e 67-të Gresa Berisha shënoi golin e katërt pas një asistimi të Ezmiralda Franjës, ndërsa tri minuta më vonë Arbiona Bajraktari gjeti rrjetën pas një asistimi tjetër të Franjës, duke vulosur rezultatin përfundimtar 5-2.
Me këtë fitore dhe tre pikët e marra ndaj Malit të Zi, Shqipëria siguron kualifikimin në raundin e parë të play-off-it të kualifikueseve të Botërorit 2027, konfirmon qëndrimin në Ligën B dhe vendos një rekord të ri, duke grumbulluar për herë të parë 7 pikë në një grup të Ligës B. Top Channel

