Pas përplasjes disa-mujore me qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) vendosi rritjen e pagave të magjistratëve. Në mbledhjen e kësaj të mërkure, KLGJ marrë me 9 vota pro dhe asnjë kundër vendosi që paga referuese e çdo gjyqtari të rritet me 65.600 lekë, mbi 40% të asaj që kishin më parë. Duke nisur nga 1 gushti 2026, çdo pagë gjyqtari do të jetë 222.425 lekë, nga 156.800 lekë që ishte më herët, plus shtesa e nivelit të kualifikimit prej 14.000 lekësh. U miratua gjithashtu kompensimi për rritjen e munguar për periudhën 1 prill 2023–31 korrik të këtij viti.
KLGJ thekson se ndërhyrja erdhi pasi Kuvendi refuzoi të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese të shkurtit 2026, e cila rrëzoi ndryshimet ligjore të vitit 2023 që përcaktonin pagën e magjistratit si 0.36% të pagës së Presidentit, duke argumentuar se ato sillnin një “ulje të fshehtë” dhe ishin antikushtetuese. Sipas KLGJ, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm, dhe me arsyetimin e saj Këshilli përcaktoi rritjen dhe kompensimin për uljen e përshkruar nga ndryshimi ligjor i vitit 2023 në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në republikën e Shqipërisë”.
Ky është hera e parë që KLGJ ndërhyn drejtpërdrejt për të rritur pagat e magjistratëve, të cilat më parë janë përcaktuar vetëm me ligj. Vendimi pritet të ngrejë polemika ndërmjet institucioneve, pasi sipas ligjit rritjet e pagave mund të miratohen vetëm nga Këshilli i Ministrave ose Kuvendi. Ekspertët paralajmërojnë se Drejtoria e Thesarit duhet të miratojë çdo muaj pagesat; nëse listë-pagesa e re pas vendimit të KLGJ rezulton më e lartë se fondi i pagave i miratuar me ligjin e vjetër, lind përplasje administrative. Po ashtu, Thesari nuk mund të kryejë pagesa më të mëdha se sa janë parashikuar pa një vendim të qeverisë, të Kuvendit apo të titullarit të institucionit.

