Qendra Presidenciale e ish-presidentit Barack Obama hapi zyrtarisht dyert për publikun në Çikago në një ceremoni madhështore, ku morën pjesë katër ish-presidentë amerikanë, figura të njohura politike dhe dhjetëra artistë. Në ceremoni ishin të pranishëm Joe Biden dhe bashkëshortja e tij Jill Biden, Bill Clinton dhe Hillary Clinton, si dhe George W. Bush dhe Laura Bush. Mungesa e presidentit aktual, Donald Trump, u komentua gjerësisht, pasi ai nuk ishte i ftuar në aktivitet.
Ngjarja tërhoqi vëmendje kryesisht për mesazhet politike të Barack dhe Michelle Obama, që kritikuan në mënyrë të tërthortë Trumpin. Sipas sondazhit të publikuar nga CNN, Obama ka 57% vlerësime pozitive, ndërsa Trump 34% dhe Biden 30%. Michelle Obama mbajti një fjalim të fuqishëm, duke iu referuar kritikave dhe teorive të konspiracionit që Trump kishte përhapur ndaj bashkëshortit të saj, duke kujtuar akuzat e pabaza për lindjen e tij jashtë SHBA dhe duke vlerësuar arritjet e presidencës së tij. Ajo tha: “Sa absurde është të imagjinosh se ai mund të ishte dorëzuar para presionit. Sa absurde është të imagjinosh se ai mund të kishte bërë diçka tjetër përveçse ta bënte familjen tonë dhe të gjithë vendin tonë krenar”. Më tej renditi disa nga sukseset kryesore: reforma në shëndetësi, rimëkëmbja ekonomike, përfundimi i një lufte, urdhri për bastisjen ndaj Bin Ladenit, shpëtimi i industrisë së automobilave dhe fitimi i Çmimit Nobel për Paqen, duke deklaruar: “Ju punuat për njerëzit. Ju shpëtuat ekonominë tonë, zgjeruat kujdesin shëndetësor, i dhatë fund një lufte, urdhëruat bastisjen ndaj Bin Ladenit, shpëtuat industrinë e automobilave dhe fituat një çmim paqeje”.
Edhe Barack Obama mbajti një fjalim me tone politike, pa përmendur emrin e Trumpit, ku theksoi rëndësinë e demokracisë, institucioneve dhe transferimit paqësor të pushtetit. Ai vuri theksin te nevoja që ushtria dhe forcat e rendit t’i shërbejnë Kushtetutës dhe qytetarëve, jo një lideri apo partie, dhe paralajmëroi kundër cinizmit dhe humbjes së besimit te procesi demokratik, që sipas tij hap rrugë për politikanë që shohin pushtetin si mjet për të ndëshkuar kundërshtarët dhe për të favorizuar interesat e tyre.
Në ceremoni morën pjesë edhe figura ndërkombëtare si Angela Merkel, Justin Trudeau dhe Matteo Renzi. Ngjarja pati edhe një dimension kulturor me pjesëmarrjen e artistëve Tom Hanks, Anne Hathaway, Steven Spielberg dhe George Lucas, dhe program muzikor me interpretime nga Bruce Springsteen, Stevie Wonder, Christina Aguilera, Jennifer Hudson, Bono, The Edge dhe Eddie Vedder. Mesazhet e Barack dhe Michelle Obama i dhanë inaugurimit të qendrës presidenciale një ngarkesë të fortë politike, duke rikthyer rivalitetin mes ish-presidentit demokrat dhe presidentit aktual në qendër të debatit.

