Katari, eksportuesi më i madh botëror i gazit natyror të lëngshëm (LNG), po përshpejton diversifikimin ekonomik pasi bllokada e Ngushticës së Hormuzit ka goditur eksportet e tij. Në këtë kuadër, Doha ka nisur një projekt për t’u bërë qendër ndërkombëtare e tregtisë së diamanteve. Më 27 korrik, Autoriteti i Zonave të Lira të Katarit inauguroi Bursën e Diamanteve të Katarit në Zonën e Lirë Ras Bufontas, pranë Aeroportit të Dohas. Objekti përfshin sallë tregtimi, kasaforta me siguri të lartë dhe një sistem ankandesh që synon të lidhë prodhuesit nga Afrika dhe Asia me blerës nga Evropa dhe vendet e Gjirit.
Qëllimi zyrtar i Katarit është të krijojë brenda pak vitesh një qendër të rëndësishme të tregtisë së gurëve të çmuar, duke konkurruar me qendra të konsoliduara si Antwerpi dhe Dubai. Ky zhvillim vjen në një moment kritik: që prej 1 marsit, përshkallëzimi i konfliktit mes SHBA, Izraelit dhe Iranit ka sjellë bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, rruga kryesore detare përmes së cilës Katari eksporton pjesën dërrmuese të LNG-së së tij. Para krizës, mbi 100 anije kalonin çdo ditë në këtë korridor; tani, sipas agjencive të inteligjencës detare, më pak se dhjetë anije në ditë arrijnë të kalojnë.
Ministri i Energjisë i Katarit paralajmëroi se bllokada mund t’i kushtojë vendit rreth 20 miliardë dollarë në vit në të ardhura të humbura. Ndryshe nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari nuk disponon tubacione alternative për të shmangur Ngushticën, çka e bën ekonominë e tij veçanërisht të ndjeshme ndaj krizës. Autoritetet shohin te sektori i diamanteve një avantazh logjistik, pasi transporti mund të kryhet lehtësisht me rrugë ajrore dhe nuk varet nga korridoret detare, por analistët vënë në dukje se një treg i ri diamantësh nuk mund të zëvendësojë në afat të shkurtër humbjet e eksportit të gazit.
Konkurrenca rajonale mbetet e fortë: Dubai është prej vitesh një nga qendrat më të mëdha botërore të tregtisë së diamanteve, me xhiro dhjetra miliardëshe, dhe hyrja e Katarit sfidon drejtpërdrejt pozicionin e emiratit fqinj. Ekspertët shohin gjithashtu Bursën e Diamanteve si një mesazh politik që tregon përgatitjen e Doha-s për alternativa në rast se bllokada e Hormuzit zgjat. Autoritetet nuk lidhin zyrtarisht hapjen me krizën, duke pohuar se projekti është pjesë e strategjisë afatgjatë “Qatar National Vision 2030” për diversifikim; megjithatë, koha e inaugurimit nënvizon përpjekjet për të reduktuar varësinë nga një rrugë detare që mbetet jashtë kontrollit të vendit.

