Justina Shiroka-Pula, e propozuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti për presidente, është ekonomiste dhe akademike që ka ushtruar edhe funksione politike e institucionale. Në vitin 2025 ajo u zgjodh kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), duke u bërë gruaja e parë që udhëheq këtë institucion të themeluar në vitin 1975; në këtë detyrë ajo pasoi Mehmet Kraja.
Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 diplomoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare në teorinë dhe politikën e zhvillimit ekonomik i përfundoi në vitin 1984 në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit të Zagrebit. Ka kryer doktoraturën në Universitetin e Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Karrierën profesionale e nisi në Bankën Popullore të Kosovës, dhe në vitin 1978 filloi të punojë si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik. Sipas biografisë së publikuar nga ASHAK, ka ndjekur studime pasdoktorale në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara, si dhe ka kryer trajnime të ndryshme profesionale në universitete ndërkombëtare.
Pas përfundimit të luftës, Shiroka-Pula u angazhua në shoqërinë civile, kryesisht në fushat e fuqizimit të grave, barazisë gjinore, zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë. Në politikë, ajo shërbeu si ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës nga viti 2008 deri në 2011, dhe më pas ishte deputete e Kuvendit të Kosovës nga 2011 deri në 2014.
Tashmë emri i saj është propozuar nga kryeministri Albin Kurti për postin e presidentes së Republikës së Kosovës, pjesë e përpjekjeve për zgjedhjen e një kreu të ri të shtetit.

