Islandezët do të votojnë më 29 gusht në një referendum për të vendosur nëse vendi duhet të rifillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Islanda aplikoi për anëtarësim në vitin 2009 dhe nisi negociatat një vit më vonë, por procesi u pezullua në vitin 2013. Në vitin 2015, Reikjaviku njoftoi se nuk dëshironte të konsiderohej më vend kandidat, pa e tërhequr zyrtarisht aplikimin.
Një votë pro rifillimit të negociatave do të kishte impakt jo vetëm për Islandën, por edhe për BE-në dhe për vendet e tjera që synojnë anëtarësimin. Islanda, me rreth 400 mijë banorë, është tashmë pjesë e zonës Schengen dhe e Zonës Ekonomike Evropiane (EEA), dhe zbaton një pjesë të madhe të rregullave të tregut të përbashkët të BE-së.
Rifillimi i negociatave mund të ndikonte veçanërisht te Norvegjia, e cila ka refuzuar anëtarësimin në referendume më 1972 dhe 1994. Një rezultat pozitiv në Islandë mund të rihapte edhe diskutime mbi marrëdhëniet me BE-në në Grenlandë dhe në Skoci, megjithëse në të dy rastet çështjet do të lidhen me marrëdhëniet me Danimarkën dhe me Mbretërinë e Bashkuar.
Në Bruksel shpresojnë që afrimi i Islandës të japë një shtysë të re procesit të zgjerimit dhe për vendet kandidate, veçanërisht Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Mali i Zi konsiderohet si kandidati që mund të ecë më lehtë paralelisht me Islandën, pasi ka bërë përparimin më të madh në negociatat e anëtarësimit.
Megjithatë, rezultati i referendumit është i pasigurt. Sondazhet e fundit tregojnë se kampi pro rifillimit është përpara, por me diferencë të vogël dhe me shumë votues ende të pavendosur. Qeveria islandeze është e ndarë: Aleanca Socialdemokrate dhe Partia Reformuese mbështesin rifillimin e negociatave, ndërsa Partia e Popullit dhe opozita janë kundër.

