Tensionet që prej më shumë se një jave kanë karakterizuar sfidën e dyfishtë të Nations League mes Irlandës dhe Izraelit, dy skuadra në grupin e Kosovës. Ndeshja e dytë mes tyre do të zhvillohet në fushë neutrale në Serbi dhe me dyer të mbyllura, pasi në Dublin ishte rrezikuar për protesta.
Konferenca për shtyp e trajnerit të Irlandës, Heimir Hallgrimsson, u ndërpre në mënyrë të ashpër ndërsa ai po iu përgjigjej pyetjeve të gazetarëve; Hallgrimsson e përkufizoi më pas ndërprerjen si sulm verbal. Një gazetar izraelit ngriti çështjen e incidentit me “prapavijë terroriste” që ndodhi pak ditë më parë në bordin e një fluturimi të Flydubai nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Izraelit, dhe më pas i kërkoi trajnerit të komentonte mbi “personat që ai mbështet, ideologjia e të cilëve bazohet në vrasje”.
Përpara se trajneri të përgjigjej, një drejtues i Federatës Irlandeze ndërhyri dhe tha: “Sot nuk iu përgjigjemi pyetjeve të këtij lloji, vetëm futboll”. Një tjetër gazetar pretendoi se gjatë ndeshjes futbollistët irlandezë i kishin quajtur izraelitët “majmunë”, por funksionari i Federatës e ndërpreu duke thënë: “Nuk është aspak e vërtetë” dhe i hoqi mikrofonin gazetarit, duke mbyllur konferencën për shtyp. Konferenca rifilloi në një sallë tjetër, por pa praninë e gazetarëve izraelitë.
Ngjarjet në Dublin përshkallëzuan tensionet më tej. Gjatë sfidës Irlandë–Austria në Aviva Stadium, publiku hodhi në fushë dhjetëra topa tenisi, disa të pajisur me ngjitës me ngjyrat e flamurit palestinez dhe me hashtagun #StopTheGame, gjë që detyroi arbitrin të ndërpresë për pak kohë ndeshjen. Pak momente më vonë, një protestues tjetër hyri në fushë me një flamur palestinez. Pas ndeshjes u zhvillua një manifestim jashtë stadiumit, ku pjesëmarrësit i kërkuan kombëtares irlandeze që të mos luajë ndeshjen e dytë kundër Izraelit.
Burimi: Top Channel.

