Historiania dhe pedagogia Elena Kocaqi ishte e ftuar në emisionin “S’e Luan Topi” me Erjona Rusin, ku foli për karrierën, familjen dhe edukimin e dy fëmijëve të saj. Ajo shprehu lidhjen e fortë me djalin dhe vajzën, duke treguar se u ka folur dhe dëgjuar që në kohën e shtatzënisë, u ka vënë muzikë dhe i ka ledhatuar. Megjithatë, Kocaqi tha se është e pishman që nuk i ka shijuar më shumë momentet me ta, pasi ka qenë e zënë me studime dhe angazhime profesionale.
Gjatë shtatzënisë me vajzën, Kocaqi tregon se ishte në doktoraturë, punonte në arkivë, jepte mësim në disa universitete dhe merrej me botime. Ajo theksoi se fëmijët e ndryshuan jetën dhe e bënë më përgjegjëse; të dy janë lindur me operacion cezarian, ndërsa djali, Dardani, ka lindur gati 5 kilogram. Elena përshkroi Dardanin si të fuqishëm dhe si personin që sot shpesh zëvendëson rolin e babait në shtëpi, me të cilin bën biseda për politikë, fizikë dhe çështje të tjera familjare. Vajza ndërhyn, por sipas saj djali është më i pjekur.
Rritja e fëmijëve pa ndihmë paraqitet si një sfidë e madhe për Kocaqin. Ajo e përshkoi përvojën si shumë të vështirë, duke nënvizuar se shoqëria duhet të jetë më e ndjeshme ndaj nënave që rrisin fëmijë dhe se shteti nuk i ka ofruar ndihma të mjaftueshme. Problemi kryesor për të ka qenë mungesa e kohës; për të botuar libra ajo duhet të punojë shumë dhe të bëjë punë ekstra për të mbuluar koston e botimit. Përballë rolit të dyfishtë, nënë dhe baba, Kocaqi tha se nuk është ndjerë keq; ajo ka shmangur vendosjen e autoritetit diktatorial dhe inkurajon prindërit të jenë më të duruar për sjelljet e fëmijëve, si dëmtimet e vogla apo fazat e adoleshencës.
Në fund të emisionit, moderatorka i lexoi një letër nga fëmijët e saj, Dardani dhe Helena, ku ata shprehin mirënjohjen dhe dashurinë për sakrificat e nënës, për disiplinën dhe shembullin që u ka dhënë, duke përmendur edhe diskutimet e natës mbi etimologjinë dhe prejardhjen e fjalëve.

