Inter dhe Federico Dimarco synojnë të vazhdojnë bashkëpunimin. Rinovimi me mbrojtësin e krahut të majtë është prioritet në agjendën zikaltër, por klubi nuk ka ngut pasi gëzon një avantazh: mund ta rinovojë në mënyrë njëanshme kontratën e tij deri në 2028. Objektivi i Interit është të ulet në tryezën e bisedimeve për të nënshkruar një kontratë të re që zgjatet deri në 2030.
Dimarco vlerësohet nga disa klube pas paraqitjeve me Interin, veçanërisht sezonin e fundit, kur vendosi rekordin e asisteve në Serie A dhe u shpall futbollisti më i mirë i kampionatit italian. Në listën e skuadrave që e kanë pasur në shënjestër është edhe Manchester City, i cili tentoi ta transferonte kur në stolin e tij ishte Pep Guardiola. Megjithatë, lidhja e Dimarcos me Interin përshkruhet si që shkon përtej fushës së lojës, gjë që bën që rinovimi me zikaltrit të mos shihet si problematik.
Aktualisht lojtari përfiton një pagë prej 4 milionë euro në vit, plus rreth 700 mijë euro në formë bonusi, dhe nuk ka asnjë klauzolë në kontratën me skuadrën milanezë. Duke pasur parasysh rëndësinë e tij në skemën e lojës së Interit, një rritje e pagës konsiderohet e mundshme.
Ndërkaq, situata e merkatos përsa i përket përforcimeve komplikohet te çështja Cristian Romero, që deri kohët e fundit dukej e mbyllur. Mbrojtësi argjentinas dëshiron të shkojë te Atletico Madrid dhe klubi spanjoll e dëshiron atë. Avantazhi i Los Colchoneros mbi Interin është se ata mund të veprojnë menjëherë: pas largimit të Molina te Roma dhe me Ruggeri pranë transferimit te Aston Villa, Atletico disponon fonde për të ofruar para Tottenhamit. Ndërkohë, Interi është i varur nga largimi i Benjamin Pavard për të avancuar në këtë operacion.

