Projekti i interkoneksionit nënujor midis Greqisë dhe Qipros, i njohur si Great Sea, ka hyrë në një fazë të re pas nënshkrimit të marrëveshjes që sjell fondin francez Meridiam si aksioner shumicë, me rreth 66% të shoqërisë së posaçme të krijuar për zhvillimin e projektit. Operatorit grek të transmetimit, ADMIE, i mbetet pjesa tjetër dhe roli teknik në zbatimin e dhe funksionimin e ardhshëm të interkoneksionit. Marrëveshja vlerësohet thelbësore për financimin dhe rifillimin praktik të punimeve pas ngadalësimit që pati shkaktuar mosmarrëveshjet rregullatore, kostot e larta dhe tensionet gjeopolitike në Mesdheun Lindor. Vlera e projektit është përllogaritur rreth 1,9 miliardë euro.
Interkoneksioni parashikon vendosjen e një kablloje nënujore me gjatësi rreth 900 kilometra dhe kapacitet fillestar 1.000 megavat, me mundësi zgjerimi deri në 2.000 megavat. Qëllimi kryesor është lidhja e Qipros me sistemin elektrik evropian përmes Greqisë, duke i dhënë fund izolimit energjetik të ishullit. Për Qipron, projekti krijon mundësinë e importit dhe eksportit të energjisë elektrike, ul varësinë nga prodhimi vendas me kosto të lartë dhe përmirëson sigurinë e furnizimit. Për Greqinë, interkoneksioni forcon rolin si nyje energjetike midis Evropës dhe Mesdheut Lindor.
Hyrja e Meridiam i jep projektit një dimension të fortë francez dhe zgjerohet përtej marrëdhënieve dypalëshe Greqi–Qipro, duke i dhënë interkoneksionit një profil më të qartë evropian dhe duke përfshirë interesa ekonomike e strategjike franceze. Sipas mediave greke, rreth 60% e kërkimeve detare janë përfunduar; pjesa e mbetur gjendet në zonën mes Karpadhos dhe Qipros, ku më herët janë paraqitur tensione me Turqinë. Meridiam pritet të financojë përfundimin e kësaj faze, ndërsa po shqyrtohet edhe mundësia e financimit nga Banka Evropiane e Investimeve.
Në vitin 2024 kërkimet detare u ndërprenë pas kundërshtimeve të Ankarasë, që pretendonte se një pjesë e punimeve zhvillohej në zona ku kërkohej miratimi i saj; Athina dhe Bashkimi Evropian i kanë kundërshtuar këto pretendime. Brukseli mbështet interkoneksionin si pjesë të politikës për integrimin e tregjeve energjetike, diversifikimin e furnizimit dhe forcimin e sigurisë energjetike. Në një fazë të mëvonshme, projekti synon zgjerim nga Qipro drejt Izraelit, duke krijuar mundësinë e një korridori energjetik mes Izraelit, Qipros, Greqisë dhe tregut evropian.

