Një ngjarje makabre tronditi opinionin në Çeki, ku një 35-vjeçare me iniciale M.M. u arrestua dhe dërgua në paraburgim nën akuzën për vrasjen e foshnjës së porsalindur. Hetimet zbuluan detaje që tregojnë një skenar horror, ndërsa autorja dyshohet se ka tentuar të zhdukë çdo gjurmë të krimit. Ngjarja u zbulua kur vjehrra gjeti në pronën e saj një qese plastike me njolla gjaku dhe brenda saj dorën e prerë në shpatull të një fëmije, dhe njoftoi autoritetet. Për shkak të këtij sinjali, policia nisi një operacion të gjerë: dhjetëra oficerë, zjarrfikës dhe qen kërkimi kontrolluan zonën përreth rrugës “Hornická”, duke kërkuar në shkurre dhe kazanë mbeturinash për pjesë të tjera të trupit, por pa rezultat.
Burime pranë hetimit thanë se ekspertët mjeko-ligjorë nuk gjetën pjesë të tjera të trupit sepse, pas vrasjes, nëna M.M. kishte hedhur mbetjet e foshnjës në kopsht, ku qentë dhe kafshët e tjera i kishin ngrënë; dora e gjetur ishte e vetmja pjesë që kishte mbetur. Dyshimet ranë mbi 35-vjeçaren, e cila jetonte në rrugën “Pochlovická” me partnerin e saj, një person me precedentë penalë dhe histori droge. Banorët kishin vënë re se gruaja është dukshëm shtatzënë, por barku i saj u zhduk papritur pa u parë ndonjë foshnjë.
Gjatë kontrollit të banesës, policia grumbulloi prova të shumta dhe gruaja pranoi të rrëfente lindjen sekrete dhe vrasjen e foshnjës. Të premten në mëngjes, partneri i autores, i njohur për probleme të hershme mendore dhe të drogës, tentoi të vetëvritej së bashku me një shoqe; të dy mbijetuan. Ditën e shtunë, pas një seance rreth dy orëshe, gjykata vendosi masën “arrest me burg” për M.M., e cila u dërgua direkt në qendrën e paraburgimit.
Nëse shpallet fajtore, 35-vjeçarja rrezikon dënim prej 15 deri në 20 vjet burg, ose dënim të jashtëzakonshëm, burgim të përjetshëm. Autoritetet thanë se tashmë nuk ka asnjë rrezik të mëtejshëm për publikun.

