Greqia dhe Izraeli firmosën në Tel Aviv marrëveshjen për krijimin e “Mburojës së Akilit”, një sistem shumë-shtresor mbrojtjeje ajrore dhe kundër-raketore me vlerë mbi 3 miliardë euro, sipas “Jerusalem Post”. Programi synon të krijojë një kupolë mbrojtëse kundër avionëve, dronëve, raketave balistike dhe raketave cruise, duke integruar radarë, raketa dhe qendra komandimi në një rrjet të përbashkët. Në zemër të tij do të jenë disa nga sistemet më moderne izraelite.
Barak MX do të mbulojë distanca 35–150 km, ndërsa Spyder do të shërbejë për mbrojtje në distanca të shkurtra, veçanërisht për ishujt grekë dhe destinacionet e njohura të pushimeve. Për kërcënimet me rreze më të gjatë do të përdoret sistemi David’s Sling, që do të bashkëpunojë me raketat Patriot që Greqia disponon tashmë. Kompanitë greke pritet të përfitojnë rreth 700 milionë euro si nënkontraktore për Rafael dhe IAI.
Sipas Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, kjo është marrëveshja më e madhe e eksportit të armëve në historinë e marrëdhënieve Izrael–Greqi. Paralelisht u nënshkrua një kontratë shtesë 26 milionë euro për sistemin Drone Dome, i destinuar për mbrojtjen e objekteve strategjike nga sulmet me dronë.
Radarët e rinj pritet të identifikojnë shumë objektiva njëkohësisht dhe të përcaktojnë shkallën e rrezikut. Sistemi do të përdorë inteligjencën artificiale për të analizuar informacionet brenda pak sekondash dhe për të ndihmuar në zgjedhjen e mënyrës më të shpejtë të reagimit. Në të njëjtin rrjet do të lidhen edhe sistemet e tjera moderne të forcave të armatosura greke, përfshirë avionët Rafale dhe F-16 Viper, fregatat Belharra dhe sistemet raketore.
Athina synon që projekti të jetë plotësisht funksional brenda rreth tre vjetësh. Një element i rëndësishëm i marrëveshjes është pjesëmarrja e industrisë greke të mbrojtjes: të paktën 25% e programit do të realizohet me pjesëmarrje greke përmes prodhimit, bashkëpunimit dhe transferimit të teknologjisë. “Mburoja e Akilit” klasifikohet si një nga programet më të mëdha të armatimit të Greqisë, ndërsa vendi është bërë klient i rëndësishëm i prodhuesve izraelitë të armëve. Marrëveshja pritet të forcojë partneritetin strategjik midis dy vendeve, ndërsa Greqia, Qiproja dhe Izraeli kanë intensifikuar koordinimin e sigurisë përballë tensioneve me Turqinë.

