Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 45-ditor për Florian Habilajn dhe Enold Dragotin, të arrestuar pas dhunimit të një kamarieri 18-vjeçar në Mal të Robit, Golem. Sipas akuzës, i riu u dhunua pasi kërkoi pagën për punën e kryer në hotel, ndërsa Prokuroria i ngarkon dy të arrestuarit me veprën penale “plagosje të rëndë me dashje”.
Pas vendimit të gjykatës, avokati i të arrestuarve, Altin Sinella, kundërshtoi akuzën dhe e përshkroi ngjarjen si një “sherr të zakonshëm”. Ai deklaroi se masa u vendos për t’u pritur analizën e ekspertizës mjeko-ligjore, por e konsideroi këtë procedurë si të stisur. “U la me afat 45-ditor për t’u analizuar ekspertiza mjeko-ligjore, që në fakt është farsë, është e stisur. Janë dëmtime të lehta sipërfaqësore, por për të motivuar arrestin u akuzuan për plagosje të rëndë. Është një rrahje e rëndomtë. Një sherr mes të rinjsh”, tha ai.
Në deklaratën pas seancës gjyqësore, avokati pranoi se 18-vjeçari mund t’i ketë provokuar të arrestuarit, por tha se nuk kishte qartësi për dinamikën e ngjarjes. “Viktima i ka provokuar, këta i janë kthyer. Kanë pasur një debat verbal, i ka provokuar dhe këta i janë kthyer. Nuk jam shumë i qartë për ngjarjen. Viktima mban qëndrim të ndryshëm nga të arrestuarit. Njëri ka versionin e vet, tjetri të vetin. Se kush është më i besueshmi, do të dalë rrugës”, u shpreh Sinella.
Avokati po ashtu pretendoi se nga konflikti janë dëmtuar fizikisht të dyja palët dhe se për njërën palë nuk është marrë asnjë vendim, ndërsa për tjetrën është shkuar në ekstrem me masën e arrestit.

