Seanca për shkarkimin e Presidentit Meta është shtyrë për ditën e enjte në orën 10:00.
Rikujtojmë se në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohet këtë të martë seanca maratonë për çështjen e shkarkimit te Presidentit të Republikës, Ilir Meta, nga Parlamenti i kaluar, me akuzat se ka shkelur rëndë kushtetutën. Gjykata nuk ka arritur dot të dalë në një vendim për këtë çështje të rendësishme të politikës shqiptare.
Vetë Meta nuk ka qenë i pranishëm ditën e sotme në seancën që po zhvillohet në GJK, por e përfaqësojnë Bledar Dervishaj, përfaqësues ligjor, dhe Katrin Treska, drejtoresha juridike.
Në nisje te seancës, përfaqësuesi i Presidencës kërkoi ndryshimin e trupës gjykuese përshkak se disa prej anëtarëve kanë konflikt interesi dhe disa të tjerëve ju ka mbaruar mandati. Meta tha në seancën që po zhvillohet për shkarkimin e tij se gjyqtarët Vitore Tusha, Fiona Papajorgji dhe Kalo të japin dorëheqjen sepse sipas tij nuk janë të paanshëm. Këtë kërkesë të tij, përfaqësuesja e Kuvendit Klotilda Bushka e quajti një pretekst për të zvarritur procesin. Trupa gjykuese vendosi të rrëzojë këtë kërkesë të Presidentit.
Më tëj, Presidenca kërkoi që të përjashtohen përfaqësuesit e Kuvendit, nga seanca e sotme. Sipas përfaqësuesit ligjor të presidentit Meta, kryetarja e një legjislature të re, si rasti i kryeparlamentares Lindita Nikolla, nuk mund të vazhdojë një vendim të lënë nga legjislatura e mëhershme. Në lidhje me këtë kërkesë, GJK tha se do t’i lexoje pretendimet në vendimin përfundimtar.
Së fundmi, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë ngritur 70 pyetje në total për përfaqësuesit e Presidencës dhe për ata të kuvendit. Mes pyetjeve që vlen të theksojmë është se mazhoranca duhet të japë “llogari” dhe të na tregojë me fakte shkeljet e Ilir Metës mes tyre edhe përfshirjen e tij në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.
Rikujtojmë se përplasja Rama-Meta kulmoi pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit. Menjëherë pasi Rama kishte siguruar mandatin e tretë, ai tha se Presidenti do të shkarkohet për shkelje të rëndë të kushtetutës, gjë të cilën arriti ta finalizonte dhe falë votave të opozitës së re.