Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së (CBP) ka njoftuar se do të ndalojë mbledhjen e tarifave të vendosura sipas Aktit të Fuqive Ekonomike të Emergjencës (IEEPA) duke filluar nga nesër, në orën 12:01 sipas orës lokale. Ky vendim vjen pas shfuqizimit të tarifave “hakmarrëse” të Presidentit Donald Trump nga Gjykata Supreme.
Në një mesazh dërguar transportuesve përmes Shërbimit të Mesazheve të Sistemeve të Kargos (CSMS), CBP tha se do të çaktivizojë të gjitha kodet tarifore të lidhura me urdhrat e mëparshëm të Presidentit Trump për IEEPA-n. Pezullohet mbledhja e tarifave IEEPA, e cila ishte vendosur nga Trump, dhe që përkon me krijimin e një tarife të re globale prej 15% mbi një bazë tjetër ligjore për t’i zëvendësuar ato që u rrëzuan nga Gjykata Supreme.
Agjencia nuk ofroi shpjegime për mbledhjen e tarifave në ditët pas vendimit të Gjykatës Supreme, as për rimbursimet e mundshme për importuesit. Mesazhi thekson se pezullimi nuk ndikon në tarifat e tjera të vendosura nga Trump, duke përfshirë ato sipas Seksionit 232 të Aktit të Sigurisë Kombëtare dhe Seksionit 301 të Aktit të Praktikave të Padrejta Tregtare.
CBP ka bërë të ditur se do të ofrojë udhëzime të mëtejshme për komunitetin komercial përmes mesazheve në CSMS, siç është planifikuar.















