Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend ka vendosur përjashtimin e deputetëve të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, për 60 ditë kalendarike nga pjesëmarrja në seancat plenare dhe komisionet parlamentare. Vendimi është marrë më 12 tetor 2026, pas kërkesës së paraqitur nga një grup prej 10 deputetësh të Partisë Socialiste lidhur me incidentet e regjistruara gjatë seancës plenare të 8 tetorit, kur po zhvillohej procesi i votimit.
Sipas dokumentit, Gazment Bardhi akuzohet për fyerje dhe hedhjen e shisheve të ujit në drejtim të drejtuesve të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe deputetëve socialistë; njëra prej shisheve thuhet se ka goditur një punonjës të Gardës së Republikës, duke i shkaktuar dëmtime në sy. Sekretariati argumenton se veprimet e Bardhit përshkallëzuan tensionet në sallë dhe cenuan rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të punimeve parlamentare, duke i cilësuar ato si shkelje të normave të etikës dhe disiplinës parlamentare.
Ndërsa Klevis Balliu, sipas vendimit, ka dalë përpara foltores së Kuvendit dhe ka hedhur vezë në drejtim të Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Dokumenti e akuzon Balliun edhe për përdorimin e një pajisjeje zhurmuese në sallë, që ka penguar vijimin normal të punimeve. Sekretariati vlerëson se këto veprime kanë cenuar autoritetin e institucionit dhe kushtet për ushtrimin e rregullt të veprimtarisë parlamentare.
Vendimi bazohet në pamjet filmike të regjistruara gjatë seancës dhe pamjet e publikuara nga mediat. Sjelljet përbëjnë, sipas Sekretariatit, shkelje të nenit 63 dhe nenit 65/1, pika 7, shkronja “a”, të Rregullores së Kuvendit, si dhe të neneve 3, 5, pika 1, dhe 6 të Kodit të Sjelljes së Deputetit. Gazment Bardhi, ndonëse ishte njoftuar për mbledhjen e 12 tetorit, nuk u paraqit për t’u dëgjuar; Klevis Balliu ishte i pranishëm. Vendimi u mor me pjesëmarrjen e pesë anëtarëve të Sekretariatit, ndërsa një anëtar mungonte. Masa disiplinore fillon nga dita pas shpalljes së vendimit; zbatimin do të kryejnë Shërbimi i Sigurisë në Kuvend dhe Sekretari i Përgjithshëm. Vendimi mund të ankimohet brenda dy ditëve pranë Byrosë së Kuvendit.

