Intensifikohen kontrollet dhe goditjet ndaj furnizimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve finalizoi fazën e tretë të operacionit policor të koduar “Zonat”, duke goditur një rast të furnizimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta.
Si rezultat i fazës së tretë u arrestuan në flagrancë shtetasit G. M., 51 vjeç, banues në Tiranë, dhe Zh. P., 35 vjeç, banues në Gjirokastër. Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe pas hetimeve dhe veprimeve operative, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan automjetin me të cilin qarkullonin këta shtetas në rrugën “Prokop Mina”. Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit fizik u gjetën dhe sekuestruan si provë materiale 1 kg e 71 gramë lëndë të dyshuar narkotike, lloj heroinë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas do të furnizonin persona të tjerë me këtë sasi lënde narkotike, me qëllim shpërndarjen e saj në doza në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht në zonën e Tiranës së Re. Hetimet, në bashkëpunim me Prokurorinë, vazhdojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Gjatë dy fazave të para të operacionit “Zonat” u sekuestruan mbi 1 kg lëndë narkotike e dyshuar kokainë dhe u vunë në pranga dy persona që posedonin atë sasi. Materialet procedurale nga faza e tretë i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

