Federata Norvegjeze e Futbollit ka bërë denoncimin e parë kundër presidentit të FIFA, Gianni Infantino. Vendimi vjen pas një periudhe kritike të udhëheqjes së Federatës, ku presidentja e saj, Lise Klaveness, që prej verës ka qenë zë kritik ndaj mënyrës së qeverisjes në FIFA dhe ka kërkuar dorëheqjen e Infantinos, duke pohuar se është humbur besimi tek drejtimi i tij pas planit për FIFA Forward Enterprise (FFE).
Tani Federata Norvegjeze ka paraqitur dy denoncime zyrtare kundër Infantinos dhe vetë FIFA-s. Nëpërmjet këtyre denoncimeve, autoriteti norvegjez kërkon hetime në tre fronte specifike: dhënien e Çmimit të Paqes për Donald Trump; pezullimin e sanksionit ndaj sulmuesit amerikan Folarin Balogun gjatë Botërorit 2026; dhe çështjen e FIFA Forward Enterprise, përfshirë pretendimet rreth synimit për shitjen e një pjese të të drejtave të Botërorit te fonde investimi. Përveç hetimeve lidhur me këto çështje, Norvegjia kërkon një hetim edhe për veprimet personale të Infantinos lidhur me këto raste.
Denoncimet janë dërguar te Komisionet e Etikës dhe Ankesave të FIFA, të cilat kanë detyrën të shqyrtojnë nëse presidenti i federatës ndërkombëtare ka anashkaluar filtrat ligjorë dhe rregullat e brendshme në rastet e denoncuara. Procedimi parashikon tre hetime të veçanta, secila për të ekzaminuar nëse ka pasur abuzim me pushtetin apo shkelje të procedurave nga ana e Infantinos në rastet përkatëse.
Këto nisma ligjore dhe kërkesa për hetim zgjasin debatin rreth menaxhimit dhe politikave të FIFA-s dhe vijnë vetëm pak ditë para mbledhjes së Këshillit të FIFA, e cila është programuar të zhvillohet më 15 tetor në Zyrih. Source: Top Channel.

