Të paktën 15 persona kanë vdekur dhe rreth 100 janë plagosur si pasojë e sulmeve ruse në Ukrainë, ku goditja më e rëndë u regjistrua pranë Kievit ndaj një ekspozite të teknologjisë së dronëve. Sipas autoriteteve ukrainase, në atë sulm me raketa balistike humbën jetën 10 persona, ndërsa pesë të tjerë u vranë nga bombardimet në qytetin lindor të Slovianskut. Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi se ekspozita kishte mbledhur përfaqësues të rëndësishëm të industrisë së mbrojtjes dhe se rreth 100 persona mbetën të plagosur; ai po ashtu tha se autoritetet kanë nisur një hetim për të sqaruar rrethanat e organizimit të aktivitetit dhe masat e sigurisë të marra.
Zëdhënësi i Forcave Ajrore ukrainase, Yuri Ihnat, bëri të ditur se sulmi pranë Kievit u krye me tri raketa balistike, nga të cilat vetëm një u interceptua nga mbrojtja ajrore ukrainase. Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi sulmin, duke deklaruar se kishte përdorur armë me precizion të lartë dhe rreze të gjatë veprimi për të goditur një vend ku, sipas Moskës, po demonstronin teknologji dronësh të përdorur për sulme ndaj objektivave civile në territorin rus. Moska pretendoi gjithashtu se në aktivitet ishin të pranishëm prodhues dronësh, përfaqësues të forcave të dronëve të Ukrainës dhe anëtarë të shërbimeve të sigurisë të përfshirë në planifikimin e sulmeve kundër Rusisë.
Përveç sulmit pranë kryeqytetit, pesë persona u vranë nga bomabardimet me bomba rrëshqitëse në Sloviansk, ndërsa dy burra humbën jetën në qytetin verior të Sumyt, sipas zyrtarëve ushtarakë ukrainas. Pas goditjes ndaj ekspozitës u shfaqën shqetësime për sigurinë e këshilltarit të Ministrisë së Mbrojtjes, Serhiy Beskrestnov, i njohur si “Flash”, dhe të Lyuba Shypovych, e angazhuar në zhvillimin e teknologjisë ushtarake; të dy më vonë konfirmuan përmes rrjeteve sociale se nuk ishin lënduar. Beskrestnov deklaroi se kishte vendosur të mos merrte pjesë në aktivitet për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë.

