Një 52-vjeçar shqiptar, Valentin Ftoni, i dënuar dy herë me nga 25 vjet burg për vrasjen e tre personave në Shkodër, është arrestuar në Nju-Jork pas më shumë se dy dekadash në kërkim ndërkombëtar. Kapja e tij u realizua përmes bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe tri agjencive federale amerikane: DSS/OCIU (të pranishme në Ambasadën e SHBA në Shqipëri), USMS (Shërbimi i Marshallëve të SHBA) dhe ICE (Agjencia e Emigracionit dhe Doganave). Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria për Krimet e Rënda dhe Njësia e Përbashkët e Shërbimeve Investigative koordinuan veprimet që çuan në identifikimin dhe lokalizimin e tij në SHBA.
Sipas Policisë, Ftoni ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2001. Nga hetimet dyshohet se, pas largimit nga Shqipëria, ai ka përdorur dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe të paktën dy identitete të rreme për të hyrë ilegalisht dhe për të qëndruar në territorin e SHBA-së. Po ashtu, dyshohet se në SHBA ka përdorur edhe një identitet tjetër të marrë nga një vend i Amerikës Qendrore. Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, siguroi një fotografi të Ftonit, si duket pas 25 vjetësh në arrati; deri më tani nuk ekzistonte asnjë identikit i tij.
Ftoni është dënuar dy herë për vepra të rënda penale. Më 28.09.2001, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 25 vjet burgim për “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, lidhur me vrasjet e datës 19.09.2000 në Ças, Velipojë, ku u vranë shtetasit Gj. M. dhe A. M., për motive gjakmarrjeje. Gjykata më 18.11.2008 e deklaroi përsëri fajtor dhe e dënoi me 25 vjet burgim për “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve…”, për vrasjen e shtetasit G. T. më 12.08.2001.
Autoritetet shqiptare po punojnë për përfundimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, që ai të përballet me drejtësinë për veprat penale për të cilat është dënuar. Policia e Shtetit shprehu mirënjohje për partnerët në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë dhe agjencitë ligjzbatuese amerikane për bashkëpunimin dhe koordinimin gjatë këtij operacioni.

