Finalja e Ligës së Kampioneve mes Paris Saint-Germain dhe Arsenal paraqitet si një përballje mes dy filozofive të ndryshme menaxheriale, e ilustruar nga mënyra se si klubet trajtuan punonjësit e tyre për ndeshjen finale.
PSG ka ftuar të gjithë punonjësit e klubit në finale dhe u ka paguar shpenzimet, si shenjë mirënjohjeje për punën e bërë nga i gjithë stafi. Ky është një vendim i marrë nga drejtuesit e kampionëve në fuqi të Evropës për t’i dhënë vlerë angazhimit të të gjithë strukturës së klubit, dhe jo vetëm atyre që janë në kontakt direkt me skuadrën e parë.
Në kontrast të plotë me këtë qasje qëndron praktika e Arsenalit. Sipas asaj që raporton e përditshmja Telegraph, drejtuesit e klubit londinez u kanë ofruar punonjësve vetëm biletën e ndeshjes, duke i detyruar ata të organizojnë vetë udhëtimin dhe të përballojnë shpenzimet e tij, të cilat llogariten rreth 1,000 euro për një udhëtim vajtje-ardhje. Pas përfundimit të ndeshjes, stafi i Arsenalit pritet të kthehet menjëherë në Londër për të marrë pjesë në festimet në rast të fitores së Topçinjve.
Diferenca në trajtim reflekton jo vetëm një zgjedhje praktike për menaxhimin e kostove, por edhe një mesazh të ndryshëm për vlerësimin e kontributit të punonjësve brenda dy klubeve. PSG-ja zgjedh të përfshijë dhe të kompensojë të gjithë strukturën, ndërsa Arsenal preferon t’u japë përparësi lojtarëve dhe stafit të ngushtë, duke lënë pjesën tjetër të personelit të mbulojë shpenzimet e pjesëmarrjes në finalen evropiane.
Lajmi për mënyrën e organizimit dhe pagesave u bë publik nga mediat dhe u përfshin në raportimet lidhur me përgatitjet për finalen. Top Channel.

