Ministria e Drejtësisë vazhdon përkthimin e materialit të nevojshëm për kërkesën e ekstradimit nga Franca e Ermal Beqiraj, duke përfshirë vendimin për masën e sigurisë të shpallur në dhjetor 2025 dhe akte nga fashikulli hetimor që do t’i bashkëngjiten letërporosisë. Sipas burimeve pranë grupit të përkthyesve të licencuar të gjuhës frënge, raportuar nga gazetarja Anila Hoxha, kërkesa për ekstradim nuk ka përfunduar ende dhe nuk i është përcjellë drejtësisë franceze.
Dosja është voluminoze dhe përkthimi do të kërkojë disa ditë shtesë, ndërsa kërkesa zyrtare u njoftua pas arrestimit të Beqiraj nga SPAK. Paralelisht, SPAK do të dërgojë një kërkesë të dytë për ndihmë juridike në Francë, me synim vendosjen nën sekuestro të disa pasurive që dyshohen se i përkasin Beqiraj: një kështjellë, dy avionë, dy shtëpi dhe automjete.
Beqiraj rezulton i kërkuar për dosjen e AKSHI-t dhe dyshohet për veprat penale: Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës, Heqja e paligjshme e lirisë, Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike (sipas akuzave të ngritura), si dhe për veprime në formën e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal, për Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal dhe për Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë.
Nga verifikimet rezulton se policia ka shpallur Beqiraj në kërkim ndërkombëtar me kartelë të kuqe brenda afateve ligjore, pra një ditë pasi, më datë 24.12.2025, Prokuroria e Posaçme i kërkoi Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Zyrës Qendrore Kombëtare, Interpol Tirana, shpalljen në kërkim ndërkombëtar. Shpallja është reflektuar në databazën e Interpol Tirana si “njoftim i kuq” (red notice).
SPAK njoftoi gjithashtu se, në bashkëpunim me autoritetet franceze, janë identifikuar disa asete me origjinë kriminale në Francë: llogari bankare me vlerë totale mbi dy milionë euro, dy apartamente, blerja e një kështjelle në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milion euro dhe mjete motorike.

