Moderatori i “Big Brother VIP” dhe drejtori i Top Albania Radio, Ledion Liço, rrëfeu në emisionin “Goca dhe gra” emocionet dhe momentet kyçe të finales së edicionit të pestë. Ai e përshkroi finalen si një “gërshetim të vazhdueshëm të show-t dhe emocioneve”, duke theksuar se në një finale është e pamundur të mos ketë edhe pjesën spektakolare të programit, por edhe intensitetin emocional të rrugëtimit të banorëve brenda dhe jashtë shtëpisë. Sipas tij, ky sezon u shfaq i balancuar midis lojës dhe ndjenjave, duke ofruar elementet që duhet të ketë një Big Brother.
Liço përmendi disa episode të vështira për t’u menaxhuar live: daljen e Rogertit nga shtëpia, deklaratën e nënës së Selin dhe takimin e Malit me të atin, të cilin e cilësoi si “një moment i vështirë për tu menaxhuar në mënyrë të drejtë për të gjithë palët.” Ai shtoi se ka raste që kanë krijuar siklet dhe që kërkojnë menaxhim të kujdesshëm gjatë transmetimit live. Po ashtu nënvizoi se si moderator mban qëndrime bazuar në atë që beson, duke bërë dallimin se kjo është puna e tij dhe jo jeta personale.
Duke folur për pritshmëritë, Liço shprehu dëshirën që fituesi të lërë “një shije të mirë” dhe të përpiqet të ndryshojë botën për mirë. Ai tha se Big Brother pasqyron një pjesë të madhe të shoqërisë dhe u shpreh se shoqëria shqiptare ndodhet në një udhëkryq, ku disa vlera kryesore janë humbur dhe duhet rikthyer, me nevojën për më shumë dashuri. Përsa i përket finales, premtoi një mbrëmje emocionuese dhe të mbushur me surpriza.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse do të vijojë të jetë në drejtimin e programit vitin e ardhshëm, Liço deklaroi se do të jetë sërish: “Po do të jem vitin që vjen, shihemi.” Lajmet dhe komentin rreth finales dhe momenteve vendimtare i dha gjatë intervistës ekskluzive në emisionin “Goca dhe gra.”















