Baki Goxhaj, i vetmi shqiptar në flotiljen humanitare që nisej drejt Gazës, u kthye në atdhe pas ndërprerjes së misionit. Flotilja përbëhej rreth 400 njerëzish nga 50 kombësi dhe kishte për qëllim dërgimin e ndihmave në ushqime dhe medikamente. Misioni u ndërpre pasi anija e tyre, në ujërat ndërkombëtare të Mesdheut, u ndalua nga forcat izraelite.
Goxhaj i rrëfeu Top Channel se për gati tri ditë përjetoi dhunë gjatë ndalimit: “Qëlluan me armë na detyruan të ndalojmë. Na çuan në një anije burg. Ushtarët na dhunonin në grup. Grushte e shkelma me qyta armësh na poshtëronin na mbanin kokën poshtë”. Pamjet e aktivistëve të ndaluar bënë xhiron e mediave ndërkombëtare, ndërsa anija ku mbaheshin u vizitua nga ministri i Brendshëm izraelit Itamar Ben-Gvir. Goxhaj tha se ndodhej në të njëjtin ambient, por shtoi se izraelitët u kujdesën që dhuna të mos kapet në kamera: “Kur kishte civile dhe kamera ishin paqësor. Kur mbeteshim vetëm me ushtare dhunoheshim. Pyetja më e shpeshtë ishte pse shkelët ligjin izraelit”.
Sipas tij, pjesëmarrja në këtë organizim u prezantua online dhe përfshinte trajnime. Qëllimi kryesor i flotiljes ishte hapja e një korridori humanitar, e vështirë për t’u arritur për shkak të pengesave nga forcat izraelite, si dhe rritja e solidaritetit botëror për çështjen e Palestinës. Goxhaj gjithashtu deklaroi se një nga arsyet kryesore ishte “t’i japë një shuplakë qeverisë tonë e cila është bashkëpunëtore në gjenocide”.
Më shumë se 400 aktivistë të flotiljes u deportuan nga Izraeli, përfshirë edhe Goxhajn. Ai tha se gjatë ndalimit kontaktoi me ambasadoren shqiptare në Izrael, e cila i dha mbështetje, dhe më pas me konsullin shqiptar në Stamboll. Goxhaj mbërriti paraditen e së premtes në Shqipëri, ku iu bashkua bashkëshortes dhe dy djemve të tij. Burimi: Top Channel.

