Dy vite radhazi në Europë, trofe dhe një video e shpërndarë gjerësisht: megjithatë për Dinamon sezoni që vjen nuk mjafton vetëm prezenca në kompeticione europiane; objektivi i shpallur nga presidenti është i qartë—fitimi i titullit kampion. Bardhi shprehu pa drojë ambicien e klubit: “Jo, nuk kam frikë. Nuk kam frikë asnjë ekip. Dinamo është Dinamo! Dinamo është e Tironës! Dhe Dinamo këtë vit, plani kryesor është fitimi i kampionatit. Objektivi kryesor është fitimi i kampionatit.”
Presidenti kërkon të vazhdojë bashkëpunimin me trajnerin Ilir Daja, të cilin e konsideron një nga faktorët kryesorë në rritjen e vlerës së lojtarëve dhe në realizimin e shitjeve drejt klubeve të mëdha. Bardhi vlerësoi se rezultatet sportive dhe komerciale janë punë e Dajës dhe e grupit: “Puna e Dajës reflektohet edhe në shitjen e lojtarëve që Dinamo sot ka shitur në klube shumë të rëndësishme… Është një rezultat i Dajës, i grupit tonë, të gjithë bashkë.”
Në strukturën e projektit rolet janë të përcaktuara qartë: Bardhi thekson se nuk ndërhyn në formacionet dhe në merkato filtrin e transferimeve e bën Daja. Presidenti përshkruan bashkëpunimin si një kombinim të suksesshëm mes tij dhe “Profesor Daja”: “Kemi gjetur këtë simfoninë që po funksionon në mënyrë të jashtëzakonshme në këtë kombinim President dhe Profesor Daja.”
Fama e videos së festës në dhomat e zhveshjes solli edhe mesazhe të pazakonta nga Italia, ku disa i sugjeruan të drejtonte klube italiane: “Më kanë thënë, hajde, do të drejtosh klubet italiane!” Por Bardhi u shpreh i vendosur të qëndrojë te Dinamo: “Jo, jo, unë jam këtu. Do ec me Dinamon. Do vazhdoj projektin e Dinamos, sa të kem mundësi.”
Për tifozët erdhi edhe premtimi më i madh: Dinamo ka 18 tituj kampionë dhe nën drejtimin e tij synohet shtimi i dy titujve të tjerë për të vendosur yllin e dytë në fanellë: “Këtë do t’ua premtoj të gjithë dinamovitëve, që yllin e dytë do t’ia vë në fanellë. Në drejtimin tim.” Bardhi përmendi gjithashtu bilancin e fundit: dy Kupa Republike, një Superkupë dhe dy vite në Europë, duke vënë në dukje se klubi “Kemi shkuar te burimi, po s’kemi pirë ujë.”
Shënim – Ky material është ekskluziv i Top Channel. Ndalohet riprodhimi, publikimi apo përdorimi i tij, i plotë ose i pjesshëm, pa autorizim dhe pa përmendur burimin.

