Interpol Tirana, së bashku me BKH dhe ekipin kombëtar britanik të ekstradimeve në NCA, lokalizuan dhe arrestuan një të kërkuar nga SPAK nën dyshimin e përfshirjes në rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e Jan Prengës. Dokumentet e gjykatës së ekstradimeve në Londër, Westminster Magistrate Court, të marra nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, tregojnë se i arrestuari për qëllim ekstradimi është identifikuar si Korado Gështënja. Në Angli ai përdorte edhe mbiemrin Kështenja dhe emrin e rremë James Martin.
Gështënja, 35 vjeç, kërkohet mbi bazën e një urdhër-arresti të lëshuar nga SPAK dhe të miratuar nga GJKKO në Shqipëri për veprat penale të rrëmbimit dhe komplotit për importimin e drogave të Kategorisë A. Përfaqësuesi i shtetit shqiptar në procedurë deklaroi se më ose rreth datës 17/01/2020, Gështënja ka privuar në mënyrë të paligjshme nga liria Jan Prengën, kundër vullnetit të tij. Po ashtu u tha se ai ka bashkëpunuar në formën e një komploti për të importuar/eksportuar droga të Kategorisë A, konkretisht kokainë, nga Ekuadori, në kundërshtim me ndalimin në fuqi për këto mallra.
Seanca e radhës së ekstradimit është caktuar për më 02/09/2026, ora 10:00, ndërsa Gështenja mbahet në paraburgim në Londër. Mbetet e paqartë mënyra se si i riu shqiptar, i banues në St Leonards On Sea, hyri në Angli.
Sipas dosjes së SPAK që raportohet, Gështenja ishte pjesë e vëzhgimit dhe më pas rrëmbimit të Jan Prengës. Viktima u rrëmbye në zonën e Kamzës dhe u dërgua në një resort në Shijak, ku u pa për herë të fundit. Hetimet tregojnë se ai u mbajt peng dhe u torturua, ndërsa trupi i tij ende nuk është gjetur. Prokuroria pretendon se rrëmbimi i Jan Prengës ishte porositur si akt hakmarrjeje për një sasi droge të humbur në Angli, ku dyshohet të ketë qenë i përfshirë vëllai i viktimës, Ndrek Prenga. Në ngjarje dyshohet të jetë përfshirë edhe Dritan Rexhepi. Burimi i informacionit: Top Channel.

