Interpol Tirana së bashku me BKH, në bashkëpunim me skuadrën kombëtare britanike të ekstradimeve në NCA, lokalizuan dhe arrestuan një të kërkuar nga SPAK nën dyshimin për përfshirje në rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e Jan Prengës. Dokumentet e gjykatës së ekstradimeve në Londër, “Westminster Magistrate Court”, të siguruara nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, tregojnë se i arrestuari për qëllim ekstradimi është Korado Gështënja. Në Angli ai përdorte edhe mbiemrin Kështenja dhe emrin e rremë James Martin.
Gështenja, 35 vjeç, kërkohet mbi bazën e një urdhër-arresti lëshuar nga SPAK dhe miratuar nga GJKKO në Shqipëri, për veprat penale të rrëmbimit dhe komplotit për importimin e drogave të Kategorisë A. Përfaqësuesi i shtetit shqiptar në procesin e ekstradimit deklaroi se më ose rreth datës 17/01/2020 Gështenja ka privuar në mënyrë të paligjshme nga liria Jan Prengën, kundër vullnetit të tij. Prokurori gjithashtu tha se ai ka bashkëpunuar në formën e një komploti me persona të tjerë për të importuar/eksportuar drogë të Kategorisë A, konkretisht kokainë, nga Ekuadori.
Sipas dosjes së SPAK, Gështenja ishte pjesë e vëzhgimit dhe më pas rrëmbimit të Jan Prengës. Viktima u rrëmbye në zonën e Kamzës dhe më pas u dërgua në një resort në Shijak, ku u pa për herë të fundit. Hetimet pasqyrojnë se ai u mbajt peng dhe u torturua, ndërsa trupi i tij nuk është gjetur ende. Prokuroria ka provuar se rrëmbimi u porosit si akt hakmarrjeje për një sasi droge të humbur në Angli, ku përfshihej vëllai i viktimës, Ndrek Prenga. Në këtë ngjarje dyshohet të jetë i përfshirë edhe Dritan Rexhepi.
Seanca e radhës së ekstradimit është caktuar për më 02/09/2026 ora 10:00, ndërsa Gështenja mbahet në paraburgim në Londër. Mbetet e paqartë se si i riu shqiptar, banues në St Leonards On Sea, hyri në Angli.

