BERLIN- Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar ditën e sotme se do të punojë intensivisht me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen për të zgjidhur luftën tregtare në rritje me Shtetet e Bashkuara.
“E diskutova këtë intensivisht gjatë fundjavës si me Macronin ashtu edhe me Ursula von der Leyenin”, tha Merz duke shtuar se kishte folur edhe me Presidentin e SHBA-së Donald Trump për këtë çështje, shkruan Reuters.
“Duam ta shfrytëzojmë këtë kohë tani, dy javë e gjysmë deri më 1 gusht, për të gjetur një zgjidhje. Jam vërtet i përkushtuar për këtë”, tha Merz.
Presidenti Donald Trump kërcënoi të shtunën se do të vendosë një tarifë prej 30% për importet nga Meksika dhe Bashkimi Evropian duke filluar nga 1 gushti, pasi javë të tëra negociatash me partnerët kryesorë tregtarë të SHBA-së dështuan të arrinin një marrëveshje gjithëpërfshirëse tregtare.
Merz tha se ekonomia gjermane do të goditej rëndë nga tarifat dhe se po bënte çmos që të sigurohej që të mos vendoseshin tarifa amerikane prej 30%.
Uniteti në Evropë dhe një dialog i arsyeshëm me Presidentin Amerikan ishin tani të nevojshëm, tha Merz, megjithëse kundërmasat nuk duhen përjashtuar. Kur u pyet nëse do të pajtohej me kundër-tarifat siç propozoi Franca, Merz tha: “Po, por jo para 1 gushtit.”















