Një punonjës i Policisë së Sarandës është vënë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi dyshohet për kryerje ndërtimesh pa leje në një objekt që përdorej për aktivitet hotelier. Sipas hetimeve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), punimet janë realizuar në një banesë në pronësi të babait të efektivit, ku ky i fundit jeton, duke u shtuar një kat i tërë mbi një objekt ekzistues dykatësh. Sipërfaqja e ndërtuar pa leje është e përcaktuar të paktën 159 m² dhe synonte ndryshimin e destinacionit të objektit në funksion akomodimi (hotel).
Hetimet, të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë dhe të regjistruara me procedimin penal nr. 304/2026, kanë dokumentuar fakte dhe prova që lidhin me punonjësin e policisë i identifikuar në materialet hetimore si Ajdin Ismailaj/Islamaj, në atë kohë me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë.
Akti i ekspertimit teknik i administruar në hetim ka konkluduar se ndërhyrjet përbëjnë ndërtim të ri sipas legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, për çka kërkohej leje ndërtimi nga autoritetet kompetente. Nga verifikimet nuk rezulton të ketë qenë e miratuar ndonjë leje për realizimin e këtij kati shtesë. Bazuar në analizën e pamjeve satelitore dhe hetimeve, rezulton se punimet janë kryer gjatë vitit 2025.
AMP thekson nevojën e respektimit të ligjit nga punonjësit e policisë dhe nënvizon se besimi i qytetarëve tek institucionet e zbatimit të ligjit dëmtohet kur funksionarët publikë dyshohet se shkelin ligjin. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale, identifikimin e çdo personi të përfshirë dhe verifikimin e rrethanave që kanë mundësuar realizimin e ndërtimeve në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Agjencia deklaron se do të vijojë të godasë çdo formë paligjshmërie pa dallim detyre apo pozicioni, për të siguruar zbatimin paanshëm të ligjit dhe mbrojtjen e integritetit të uniformës.

