Një djalë 10-vjeçar humbi jetën mëngjesin e sotëm në Greqi, pasi ra aksidentalisht në një kanal ujitës dhe dyshohet se u mbyt. Sipas mediave greke, fëmija u gjet pa ndjenja rreth orës 11:45 në një kanal ujitjeje në zonën e Iraklias. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe ekipet e shpëtimit; në operacion morën pjesë nëntë zjarrfikës me tre automjete.
Djali u nxor nga kanali dhe u transportua me urgjencë në Qendrën Shëndetësore të Iraklias, ku mjekët konfirmuan vdekjen e tij. Autoritetet kanë njoftuar se pritet të kryhet autopsia për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes, ndërsa informacionet paraprake tregojnë se nuk ka dyshime për veprim kriminal.
Raportohet se fëmija po luante në afërsi të zonës kur dyshohet se ka rënë aksidentalisht në kanalin ujitës. Hetimet paraprake dhe procedurat mjeko-ligjore do të japin sqarimet e nevojshme mbi rrethanat e ngjarjes dhe shkaqet e vdekjes, sipas njoftimeve fillestare.

