Rasti i dyshuar i helmimit të një grupi fëmijësh në kopshtin nr.2 në qytetin e Korçës ka shkaktuar shqetësim në komunitetin e prindërve. Ndërsa shoqërojnë fëmijët në kopsht, prindër dhe gjyshër kërkojnë sqarim institucional, më shumë përgjegjësi nga drejtuesit e vendit dhe kontrolle të shtuara, sipas pretendimeve të tyre. Ata deklarojnë se gjatë këtyre ditëve nuk janë kontaktuar nga drejtuesit e kopshtit për t’u informuar lidhur me ngjarjen.
Mëngjesin e së hënës një pjesë e prindërve kanë kërkuar sqarime në dyert e kopshtit, ku drejtuesit kanë pohuar se rasti lidhet me një virozë të stinës. Nga ana tjetër, Drejtoria e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) ka kryer monitorimin e kopshtit dhe raporton se kushtet higjeno-sanitare rezultojnë brenda standardeve.
Janë marrë mostra nga ushqimet dhe uji në institucion dhe janë kryer analiza bakteriologjike, të cilat nuk kanë treguar ndotje bakteriale. Agjencia e Kontrollit të Ushqimit (AKU) gjithashtu ka marrë mostra të ushqimeve dhe i ka dërguar në Institutin e Shëndetit Publik (ISUV) për analiza të mëtejshme. Këto analiza pritet të përcaktojnë shkakun e dyshuar të helmimit.
Prindërit kërkojnë sqarime dhe masa shtesë kontrolli, ndërsa autoritetet shëndetësore po vijojnë hetimet laboratorike për të përcaktuar nëse ngjarja shkaktohet nga faktorë infektivë, kontaminim ushqimor apo tjetër. Deri në përfundim të analizave, institucionet kanë raportuar vetëm rezultatet e monitorimit dhe analizave bakteriologjike fillestare, pa konkluzione për shkaqet konkrete të incidentit.

