Lorna Hajdini, 37 vjeçe me origjinë shqiptare, akuzohet për abuzim seksual ndaj një punonjësi të kompanisë financiare JP Morgan, ku ajo mban pozicionin e drejtoreshës. Bisedat e saj me të ankuarin janë zbuluar, ndërsa padia u paraqit të hënën në Gjykatën Supreme të Qarkut të Nju Jorkut nga një person që vepron në mënyrë anonime si John Doe. Ai pretendon se Hajdini e ka droguar dhe më pas e ka përdhunuar, dhe pohon se zgjodhi të fshehë emrin për t’u mbrojtur nga kërcënimet ndaj tij dhe familjes.
Padia akuzon gjithashtu JP Morgan Chase (JPMC) për mundësimin e abuzimit dhe për hakmarrje ndaj bankierit pasi ai e raportoi ngjarjen. Ankesa pretendon se firma e vendosi ankimuesin në pushim pa dëshirën e tij, shkatërroi reputacionin e tij dhe lejoi që kërcënimet të vazhdonin, ndërsa Hajdini dhe të tjerë mbetën pa dënuar. Sipas dokumentit, pavarësisht se shumë punonjës bashkëpunuan me hetimin, ankimuesi ka refuzuar të marrë pjesë dhe të ofrojë fakte që do të ishin thelbësore për mbështetjen e pretendimeve të tij.
Sipas padisë, ngjarjet e dyshuara filluan pothuajse menjëherë pasi të dy filluan të punonin së bashku në pranverën e vitit 2024. Në fillim të majit 2024, Doe thotë se Hajdini hodhi një stilolaps pranë tavolinës së tij; kur ai u përkul për ta marrë, ajo nisi ta ngacmonte, përfshirë komentet: “Oh, a ke luajtur basketboll në kolegj? … I dua lojtarët e basketbollit …” Më vonë atë javë, pretendon ai, Hajdini e ftoi për pije; ai refuzoi dhe ajo, sipas ankesës, i tha: “Nëse nuk më … shpejt, do të të shkatërroj… mos harro kurrë, unë të zotëroj.”
Doe pretendon se rezistenca e tij çoi te kërcënime për ndëshkim profesional, me pretendimin se për t’u promovuar në drejtor ekzekutiv do të duhej “të bënte siç e urdhëron ajo.” Ai thotë se gjatë një eventi social në klubin e saj privat të anëtarëve Hajdini e preku vazhdimisht dhe më pas situata u kthye në sulm seksual. Dy dëshmitarë citohet se mbështesin pjesë të rrëfimit të tij. Në padinë thuhet gjithashtu se Hajdini përdori kërcënime dhe abuzime raciste për ta detyruar atë të kryente akte seksuale.















