Një konflikt për pronën në bregdetin e Golemit, në Kavajë, ka rikthyer në vëmendje historinë e 70-vjeçares Sheko Ademi, e cila pretendon se prej tri vitesh përballet me tentativa për tjetërsimin e pronës së trashëguar nga i ati. Sipas saj, përplasjet janë shoqëruar me incidente të përsëritura, të dokumentuara edhe nga kamerat e sigurisë, ndërsa episodi më i fundit lidhet me pretendimet për dhunë gjatë shoqërimit nga policia.
Ademi përshkruan ndërhyrjen e forcave të rendit si të dhunshme: “5 makina policie nëna. Këto zvarrë e bjer, këto duart e mija janë goditur nga shkelmat e policëve te koka. Fut e bjer e fut e bjer, a më ra të fikët s’mora vesh më. Kap një nga koka, një nga këmbët, një përplas, zvarrë më nxorën. Kam shenja në trup gjithandej”, thotë ajo. Konflikti, sipas Ademit, ka kaluar kufijtë familjarë dhe tashmë është kthyer në një përballje me institucionet.
E moshuara kërkon hetim dhe drejtësi dhe shpreh vendosmërinë për të mos u dorëzuar nga prona që e konsideron trashëgimi: “Unë 70-vjeçare, çfarë kam vjedhur. Vjedhje në bashkëpunim, janë çuar relacionet në prokurori, çfarë janë ato. Çfarë vodha unë të keqën nëna, çfarë mund të vjedh unë, shtëpinë time? Ata po më vjedhin shtëpinë dhe pronën time dhe policia mbron hajdutët që duan të marrin pronën time”. Ajo thotë gjithashtu se është marrë leja e ndërtimit për të ndërtuar një pallat dhe deklaron se nuk do të largohet nga shtëpia: “Po si i thashë unë, unë e vdekur me arkivol do dal nga shtëpia ime. Nuk dal se është shtëpija ime”.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Policisë Durrës reagoi pas publikimit të videos në rrjetet sociale, duke sqaruar se bëhet fjalë për disa episode të referuara në Prokurori, që lidhen me konfliktin për pronësinë. Sipas policisë, 70-vjeçarja është shoqëruar pas dyshimeve për “shkatërrim prone me zjarr” dhe “kundërshtim të punonjësit të policisë”, ndërsa Ademi pretendon se është dhunuar gjatë ndërhyrjes. Konflikti mbetet i hapur, me pretendimet e palëve dhe pritjen për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

