Gjashtë persona u arrestuan, tre u proceduan penalisht dhe dy u shpallën në kërkim pas akteve të dhunës gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme në Tiranë, njofton Policia. Sipas raportit zyrtar, protestuesit kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë me sende të forta, përdorën lëndë piroteknike, hodhën bomba molotov dhe përdorën mjete të tjera, si sfera dhe vida metalike. Gjithashtu bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash. Gjatë kontrolleve policore u sekuestruan bomba molotov.
Policia njofton se, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale nën drejtimin e Prokurorisë, janë arrestuar shtetasit: Sh., 26 vjeç; L. K., 18 vjeç; F. Ç., 38 vjeç; K. R., 35 vjeç (shtetas i huaj) si dhe dy shtetas të mitur. Përveç tyre, tre persona janë proceduar penalisht dhe dy janë shpallur në kërkim. Gjatë kontrolleve, tek shtetasit L. K. dhe A. Sh. u gjetën dhe iu sekuestruan bomba molotov.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për ndjekje penale për një seri veprash, përfshirë: “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë; “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”; “Prishja e qetësisë publike”; “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”; “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”; “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”; “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Njoftimi i Policisë përsërit se arrestimet, procedimet dhe kërkimet kryhen në kuadër të dokumentimit ligjor të veprimeve të dhunshme gjatë tubimit dhe se hetimet vijojnë për kapjen e të gjithë personave të përfshirë.

