Gennaro Gattuso pati një debutim të keq si trajner i Lazios, pasi skuadra romane u eliminuar nga Kupa e Italisë, duke pësuar humbje 2-0 në Olimpico kundër Mantovas dhe duke regjistruar surprizën e parë të këtij kompeticioni. Bardhekaltrit nisën ndeshjen në sulm: Dele-Bashiru goditi shtyllën, ndërsa Dia u ndal nga Bardi. Megjithatë, me kalimin e minutave Mantova mori kurajo dhe, e vendosur mirë në aspektin taktik, filloi të bëhej e rrezikshme; Gliozzi detyroi Mandas të ndërhynte dhe pjesa e parë u mbyll 0-0.
Në pjesën e dytë takimi vazhdoi i bllokuar taktikisht. Lazio pati mundësi dhe shpërdoroi rastet, me Cancellierin që nuk e shfrytëzoi një shans të rëndësishëm, ndërsa shpesh mungonte pasimi i fundit nga lojtarët e prapavijës. Në minutën e 70 trajneri aktivizoi blerjen e re Frattesi për të ndryshuar dinamikën në fushë, por shtatë minuta më vonë Mantova shfrytëzoi një gabim në mbrojtjen laziale: pas një krosimi të Bragantinit, Ruocco gjeti rrjetën dhe kaloi skuadrën e tij në avantazh.
Gattuso reagoi duke hedhur në fushë Ratkov dhe Noslin, por ndryshimet nuk sollën golin e barazimit; lojtarët e Lazios u hodhën në sulm por nuk arritën të depërtonin mbrojtjen kundërshtare. Në minutën e 96, Caiazzo shënoi golin e dytë për Mantovan, duke vulosur fitoren 2-0 dhe kualifikimin për në raundin tjetër të Kupës së Italisë. Mantova do të përballet në raundin pasues me fituesin e sfidës Palermo-Lecce. Lajmi publikohet nga Top Channel.
