Një debat i gjithmohshëm për enët e palara në kuzhinë përfundoi me një akt të rëndë dhune në Romë, ku një 50-vjeçare u arrestua me akuzën e tentativës së vrasjes. Sipas hetimeve, gruaja dyshohet se e ka sulmuar brutalisht partnerin e saj me një ngrohëse elektrike dhe më pas ka tentuar ta mbyse me kabllon e pajisjes.
Ngjarja ndodhi disa ditë më parë rreth orës 21:30 në banesën e çiftit në lagjen Tufello. Pas një njoftimi nga fqinjët, karabinierët ndërhynë dhe gjetën gruan të hipur mbi partnerin, i shtrirë në një pellg gjaku dhe pothuajse pa ndjenja. Efektivët neutralizuan menjëherë 50-vjeçaren, e cila vazhdonte ta ofendonte viktimën edhe gjatë ndërhyrjes.
Shërbimet e urgjencës i dhanë ndihmën e parë të dëmtuarit dhe e transportuan në poliklinikën “Umberto I”. Para hetuesve, burri deklaroi se gjithçka kishte nisur pas një debati për enët në lavaman. “Ajo filloi të më shtynte dhe që në atë moment fillova të shqetësohesha. I thashë se do t’i laja unë enët, por ajo nuk u ndal më. Në fund humba ndjenjat”, u citua ai.
Si pasojë e sulmit, burri pësoi frakturë të septumit të hundës dhe të njërës mollëz, dëmtime në kokë dhe hematoma në të gjithë trupin. Ai mori edhe lëndime në duar ndërsa përpiqej të mbrohej. Pas arrestimit, gruaja u dërgua së pari në një strukturë shëndetësore për vlerësimin e gjendjes psikofizike dhe më pas u transferua në burgun e Rebibbias.
Hetuesit kanë deklaruar se nuk përjashtojnë mundësinë që gruaja të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike në momentin e ngjarjes. Çështja po hetohet më tej nga autoritetet italiane, ndërsa i lënduari vijon trajtimin në spital.
