Ulliri shkaktoi debat të fortë në Komisionin e Ekonomisë, ku seanca, edhe pse ishte për ri-anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin Ndërkombëtar të Ullirit (COI), u përqendrua tek problemet e sektorit që sipas deputetëve nuk janë trajtuar me prioritet nga Ministria e Bujqësisë, as pas zjarreve e as pas përmbytjeve. Deputeti Erion Braçe kërkoi shifra konkrete: “Sa pemë ulliri kemi humbur gjatë këtij viti? Dhe sa për pesë vitet e fundit? A ka ndonjë plan Ministria e Bujqësisë për të rikuperuar këto pemë?” Zëvendësministri Fatmir Guri u përgjigj se vlerësimet po bëhen në zonat ku kanë ndodhur zjarret dhe se me këtë merret pushteti vendor, përgjigje që Braçe e konsideroi e papërgjegjshme dhe jo e plotë.
Diskutimi u zhvendos te dëmshpërblimet e premtuara për përmbytjet e nëntorit. Deputeti Eno Bozdo deklaroi se që nga fillimi të vitit ka kërkuar kompensim për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet dhe se deri tani nuk është dhënë asnjë fond: “Zero para! Ato prekën sera dhe ullinj. Zero para!” Fatmir Guri ripërsëriti se çështjet e dëmshpërblimit trajtohen nga pushteti vendor.
Opozita ngriti edhe problemin e aksesit në tregjet europiane për vajin e ullirit shqiptar, duke argumentuar se mungesa e kapaciteteve laboratorike e bën të pamundur vërtetimin e cilësisë së produktit. Bozdo theksoi se Shqipëria nuk ka laboratorë të akredituar, se vaji eksportohet shpesh në bidona kallçuku dhe rietiketohet, dhe se analizat kushtojnë 200–400 euro. Sipas diskutimit, ISUV, i vetmi laborator reference në vend, mund të analizojë vetëm katër tregues të vajit të ullirit, të cilët nuk mjaftojnë për kërkesat e Bashkimit Europian për vërtetimin e cilësisë.
Pavarësisht se debatet nuk sollën zgjidhje konkrete për fermerët apo premtime financiare, komisioni votoi unanimisht për ri-anëtarësimin e Shqipërisë në organizatën COI. (Top Channel)

