ROSKOVEC- Ish-partnerja e dajës së deuptetes socialiste Zeqine Çaushi, i cili disa ditë më parë plagosi me drapër ish-vjehrrin ka dhënë versionin e saj pas ngjarjes së rëndë. Gjatë një prononcimi për mediat, ajo shprehet se po përjeton një situatë të rënduar emocionale, duke shtuar se ka nevojë edhe për ndihmën e një psikologu.
Merita Gremaj pretendon se ish-parteneri e ka dhunuar dhe përdhunuar, duke shtuar se e kërcënonte vazhdimisht. Në fund, ajo thotë se si pasojë e dhunës sistematike fizike nuk kishte fuqi as të lëvizte.
“Shumë shumë e ngarkuar dhe kam nevojë urgjentisht për psikolog. Më ka dhunuar, më ka përdhunuar nga të gjitha anët. Nuk mundesha më, nuk lëvizja dot. Vetëm më kërcënonte. Çdo minutë: ‘ Do të vras! Do të vras!’”, u shpreh Merita Gremaj.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës më 13 shtator, rreth orës 22:30, në fshatin Suk të Roskovecit. Daja i deputetes socialiste është konfliktuar për motive të dobëta me ish-vjehrrin dhe e goditur atë me drapër. Sipas policisë, 52-vjeçari kishte shkuar në banesën e 67-vjeçarit, pasi kishte shkelur urdhrin e mbrojtjes të vendosur nga gjykata për ish-bashkëjetuesen e tij, vajzën e të plagosurit. Ai u arrestua nga policia ditën e djeshme.

